Osmani u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Katarit, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit
Thellimi i bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Katarit ishte tema kryesore e takimit në mes të Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetarit të Kuvendit Konsultativ të Shtetit të Katarit, Hassan bin Abdulla Al-Ghanim.
Gjatë këtij takimi Osmani ka falënderuar Kryetarin Al-Ghanim për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit, duke ritheksuar gatishmërinë të forcojmë bashkëpunimin ndërshtetëror në fusha të ndryshme duke përfshirë ekonominë, energjetikën dhe bujqësinë.
Presidentja dhe Kryetari kanë këmbyer mendimet për ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës në kontinentin evropian dhe rajonin tonë, sigurinë energjetike dhe atë të ushqimit.
Presidentja Osmani bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit ndërparlamentar si një mjet i fuqishëm bashkëpunimi mes dy shteteve.
Si dy vende mike, Kosova dhe Katari mbeten partnerë të besueshëm dhe të përkushtuar për të thelluar raportet bilaterale./Shqip.com