Lajme

5 vende të NATO-s takohen në Shkup, Rama: Të fokusohemi te ruajtja e paqes së brishtë në rajon

Kryeministri Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Shkup, për të marrë pjesë në takimin e liderëve të pesë vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore.

Në fjalën përshëndetëse pak minuta përpara fillimit të takimit, Rama u ka uruar në gjuhën shqipe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut Ditën e Alfabetit.

Duke u ndalur te situata gjeopolitike, Rama u shpreh mirënjohës për vëmendjen që po i jepet rajonit për mbrojtjen dhe ruajtjen e paqes së brishtë, në një moment luftërash dhe krizash të rënda.

“Së pari më lejoni t’ju urojë në gjuhën shqipe të gjithë shqiptarëve këtu në Maqedoninë e Veriut ditën e bekuar të Alfabetit dhe nga ana tjetër më vjen shumë mirë që sot jemi mbledhur këtu në një moment luftërash dhe krizash të rënda që kanë potencialin të rrezikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë vendin tonë. Në një moment kur këtu në rajon të gjithë duhet të fokusohemi te mbrojtja dhe ruajtja e asaj që kemi arritur që është jo pak por një paqe e brishtë, por sidoqoftë një paqe. Të vëmë forcat për ta bërë këtë paqe përfundimtare dhe të shoqërueshme”- tha Rama.

/Shqip.com