36 vdekje si pasojë e COVID-19, Haradinaj: Pushteti dhe klasa politike duhet të kthjellet

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë të dielën se “pushteti dhe klasa politike duhet të kthjellet”.
Kjo deklaratë e tij erdhi pasi Ministria e Shëndetësisë sot raportoi 36 vdekje si pasojë e COVID-19.
“Situata është jashtëzakonisht e rëndë dhe nuk menaxhohet me takime rutinë e me masa sipërfaqësore. Qeveria duhet t’i orientojë krejt potencialet njerëzore e financiare në mbrojtje të shëndetit të popullit. Detyrë mbi detyrat sot është mposhtja e sëmundjes së shekullit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës shpreson që ky të jetë “rekordi i fundit i zi”.
“E ftoj Kryeministrin Kurti ta kuptojë seriozitetin e gjendjes së krijuar dhe të veprojë në përputhje me situatën”.
“Atyre që sot e gjithë këto ditë i kanë humbur të dashurit e tyre, ngushëllimet më të sinqerta”, përfundoi Haradinaj.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 11.458 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 808.078 doza të vaksinës. Deri më sot 269.312 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të thërras mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare këtë pasdite, si pasojë e situatës me COVID-19.
“Sot pasdite kryeministri Kurti do të thërras mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë, teksa ora e mbledhjes nuk është bërë ende e ditur. /Shqip.com