36 të vdekur nga Coronavirusi në Kosovë

Një rekord prej 36 viktimash nga Coronavirusi është shënuar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, njofton Shqip.com.
Si asnjëherë më parë, numri i të vdekurve si pasojë e infektimit me virusin Corona në Kosovë ka kaluar në mbi 35.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku thuhet se edhe një mijë e 630 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Rastet e reja të infektimit janë regjistruar nga gjithsej 11 mijë e 17 testime të kryera.
Tutje në raport njoftohet se sot janë shëruar 816 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 113.699, derisa numri i rasteve aktive në total është 26.575.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 11.458 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 808.078 doza të vaksinës. Deri më sot 269.312 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të thërras mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare këtë pasdite, si pasojë e situatës me COVID-19.
“Sot pasdite kryeministri Kurti do të thërras mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë, teksa ora e mbledhjes nuk është bërë ende e ditur. /Shqip.com