24 vjet që nga vrasja e Enver Malokut, Abdixhiku bën homazhe tek varri i tij

Sot janë bërë 24 vjet që nga vrasja e intelektualit, Enver Maloku.
Homazhe tek varri i Malokut ka bërë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Nderuam Enver Malokun, në 24 vjetorin e e vrasjes së tij. Ai ishte një gazetar vetëmohues, një ëndërrimtar i lirisë, një intelektual i pashoq, një adhurues i shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë – ishte një patriot model i orëve më të rënda të Kosovës. Mbi të gjitha, ishte bartës i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci”, shkroi Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku tregoi se si u vra Maloku.
“Në Bregun e Diellit, pranë banesës së tij, ai u qëllua në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë. Rrugëtimi i tij drejt lirisë u ndërpre në gjysmë, por ëndrra e nisur nga ai vazhdon të mbetet udhërrëfim për ne”.
Ndërsa, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi disa fjalë për intelektualin e vrarë.
“24 vite pa Enver Malokun. Aktivistin dhe gazetarin Enver Maloku, do e kujtojmë gjithmonë si një nga intelektualët e parë që iu bashkua lëvizjes për liri. Si një atdhedashës që ishte, dha gjithçka për lirinë e fjalës, për popullin e Kosovës”.
Ramushi tha se rol i Enver Malokut në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, ishte i jashtëzakonshëm.
/Shqip.com