24 vjet nga rrëmbimi dhe vrasja e Haki Imerit, Lutfi Haziri: Ngjarja më e kobshme në Kosovën e lirë, drejtësia është vonuar

Sot bëhen 24 vjet nga rrëmbimi dhe vrasja e ish-anëtarit të Kryesisë së LDK në Skënderaj, Haki Imeri. Rrethanat e kësaj ngjarje mbeten të pazbardhura edhe sot e kësaj dite.
Në një ceremoni të zhvilluar në Skënderaj, është përkujtuar Imeri dhe kontributi i tij për Kosovën.
Ish-kryetari i komunës së Skënderajt dhe njëherazi anëtari i kryesisë së LDK, Lutfi Haziri tha se kjo ngjarja është më e rënda e ndodhur pas çlirimit të Kosovës. Ai ngriti shqetësimin se drejtësia është vonuar në hetimin dhe zbardhjen e rrethanave të krimit të kobshëm.
Postimi i Hazirit
2 nëntori i vitit 1999 ka qenë njëra prej ditëve më të kobshme në Kosovën e lirë. Veprimtari i madh i LDK-së, Haki Imeri, privua nga jeta në pabesi. Ai punoi dhe veproi që Kosova, pos lirisë, ta gëzonte edhe demokracinë e njëmendët, lirinë e shprehjes, pavarësinë e vendit dhe të ardhmen e saj europiane. Drejtësia është vonuar shumë në këtë dhe rastet tjera. Është koha e fundit që organet e drejtësisë t’i zbardhin këto raste. Qoftë i përjetshëm kujtimi për veprimtarin e çështjes kombëtare, Haki Imeri!
Haki Imeri ishte dekoruar me Medaljen e Artë të Pavarësisë nga Presidenti Rugova, së bashku me Prof. Fehmi Agani, Latif Berisha, komandat Sali Çeku, Agim Hajrizi, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Ismail Hajdaraj, e Ukë Bytyçi.
/Shqip.com