Lajme

21 vjet burgim për nipin që vrau axhën e tij në Kijevë të Malishevës

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit, B.B, pasi akuzohet se më 28 prill të vitit të kaluar, e kishte vrarë axhën e tij në Kijevë të Malishevës.

Atij i është shqiptuar dënim unik prej 21 vjetësh për dy vepra penale, “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 28 prill 2023 e tutje.

“Pas mbajtjes së shqyrtimeve gjyqësore ku janë dëgjuar të dëmtuarit – dëshmitarët dhe eksperti i psikiatrisë forenzike, si dhe administrimin e provave materiale, kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia, të akuzuarin B.B., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej njëzet e një (21) vjet, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 28 prill 2023 e tutje.”

Në njoftimin e gjykatës thuhet se i pandehuri B.B., “me datë 28.04.2023, rreth orës 09:45 minuta në fshatin Kijevë, Komuna Malishevë, me dashje ka privuar nga jeta axhën e tij S.B., ashtu që ditën kritike me të vërejtur viktimën se me punëtorin B., po e rrokullisë arkën e betonit të marr nga pjesa e lartë e oborrit në rrugicën e përbashkët të shtëpive, ka dal nga shtëpia dhe me ton të lartë i thotë “Ku po e qon gypin, nuk guxon ta marrësh”, viktima i thotë “e marr se është e imja, se po më vyen me e dërguar te bunari” si dhe shkak të motiveve të ulëta për shkak të dyshimeve që i pandehuri kishte se viktima ka pasur raport intim me gruan e tij, atëherë i pandehuri i mllefosur shkon në shtëpinë e tij merr pistoletën gjysmë automatike e tipit “Crvena Zastava”, modelit M88A të kalibrit 9×19 m dhe me të ofruar tek viktima në distancë prej 3-4 metra gjuan drejt në trup të ndjerit S.B., ku viktima mundohet të ik me tej por i pandehuri gjuan prapë në drejtim të tij gjatë lëvizjes në distancë 3-4 metra, ku janë sharë mes vete, me atë rast viktima nga plagët e marra thotë “o me vrajti, o me vrajti”, mbështetet për rrethojat e rrugicës pastaj të pandehurit i bllokohet pistoleta dhe viktima ik edhe për 3-4 metra më  tej, mirëpo i pandehuri e ndjekë prapë dhe nga prapa duke gjuajtur sërish në fund e gjuan edhe tri herë në kokë dhe viktima rrëzohet tek oborri i shtëpisë së tij duke mos lëvizur më nga vendi, ku vdekja e të ndjerit është konstatuar nga raporti i autopsisë nga ekspertit mjeko ligjor, i cili ka konstatuar se shkaku i vdekjes së viktimës S.B., ka ardhur si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kokës dhe kraharorit nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga arma e zjarrit”.

“Konfiskohet një (1) pistoletë gjysmë automatike të tipit Crvena Zastava, model M88A e kalibrit 9x19mm, një karikator i zbrazët me kapacitet për tetë (8) fishekë të kalibrit 9×19 mm i dizajnuar për pistoletë Crvena Zastava, model M88A dhe gjashtë (6) fishekë të kalibrit 9×19 mm si dhe një (1) pushkë e gjuetisë me dy tuta e tipit Hüglü, model 104A e kalibrit 12 bore, një fishekë i kalibrit 7.65×17 mm, një rrethatore prej lëkure e dizajnuar për mbajtje të fishekëve 12 bore, si objekte të kryerjes së veprës penale. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”.

/Shqip.com