Lajme Ballkan

19 viktima të gjenocidit në Srebrenicë varrosen në 26 vjetorin e masakrës

Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë të ndodhur 26 vjet më parë

Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë të ndodhur 26 vjet më parë, do të varrosen sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari.

Viktima më e re që varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti. Ndërkaq, viktima më e vjetër që varroset është Husein Kurbashiq, 63 vjeç në kohën kur u vra, raporton REL.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima, në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.

Masakra e Srebrenicës, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid. /Shqip.com