18 të vdekur nga Coronavirusi sot në Kosovë

18 persona kanë vdekur brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, si pasojë e infektimit me Coronavirus, njofton Shqip.com.
Sikurse numri i viktimave, edhe këtë ditë është shënuar numër i lartë i të infektuarve me këtë virus.
Nga gjithsej 12 mijë e 120 mostra të marra për testim, një mijë e 891 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, njofton se edhe një mijë e 483 qytetarë janë shëruar, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 112.883.
Në total numri i rasteve aktive mbetet i lartë. 25 mijë e 797 persona vazhdojnë të jenë të infektuar.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 15.967 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 794.812 doza të vaksinës. Deri më sot 267.979 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Për shkak të numrit të lartë të të vdekurve e poashtu edhe të infektuarve që po shënohen çdo ditë e më shumë, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar masa shtrënguese që pritet të hyjnë në fuqi nga data 1 deri më 13 shtator.
Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje nga ora 16:00, ku edhe pritet të merret vendimi për masat si, kufizim i lëvizjes, mbyllje e gastronomisë nga ora 21:30, shtyrja e fillimit të procesit mësimor. /Shqip.com