17 komuna janë pa noterë, Haxhiu paralajmëron konkurs të ri

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për noterinë.
Me 65 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, deputetët kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë.
Pas miratimit të këtij projektligji ka ardhur edhe reagimi nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Mirëpres votimin në lexim të dytë të Ligjit për Noterinë. Janë 17 komuna pa noterë. Ky ndryshim do të mundësojë që qytetarët të marrin shërbimet noteriale në vendet ku jetojnë. Pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës lidhur me këtë çështje, Ministria e Drejtësisë, me qëllim të rritjes së cilësisë dhe transparencës, do të shpallë konkursin e ri për noterë” ka bërë të ditur Haxhiu.
Ditë më parë, Ministrja e Drejtësisë ka njoftuar se është mbajtur takimi i parë i grupit punues në hartimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Noterinë.
Në ligjin aktual për noterinë, janë identifikuar në praktikë vështirësi që ndërlidhen me çështje të ndryshme të sistemit të noterisë që përfshijnë kushtet për ushtrimit e detyrës së noterit, kushtet dhe organizimin e provimit për noterinë, territorin zyrtar dhe shërbimet noteriale elektronike.
/Shqip.com