Lajme

12 kongresmenë i dërgojnë letër Bidenit, kërkojnë drejtësi për Vëllezërit Bytyqi dhe Vasfije Krasniqin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden

12 anëtarë të Kongresit Amerikan i kanë dërguar një letër presidentit amerikan, Joe Biden, përmes së cilës bëhet thirrje që çështja e vrasjes së Vëllezërve Bytyqi dhe rasti i dhunimit të Vasfije Krasniqi në luftën e fundit në Kosovë, të futet në agjendën e tij, përcjell Shqip.com.

Këtë e ka bërë të ditur Krasniqi përmes një postimi në Twitter, ku ka deklaruar se ndjehet mirë që 12 kongresmenë u bashkuan në letrën drejtuar Bidenit për të përmbushur zotimin e tij në mënyrë që të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.

Letra që iu dërgua Bidenit.

“Më vjen mirë që 12 anëtarë të Kongresit u bashkuan në një letër drejtuar duke kërkuar që administrata të përmbushë zotimin e tij dhe të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë. Faleminderit Mark Gjonaj që vazhdoni të mbështesni këtë kauzë dhe Vera Mjekun”, shkroi ajo.

Sipas letrës që i është dërguar presidentit amerikan, thuhet që deri më tash, liderët politikë serbë vazhdimisht kanë dështuar në përmbushjen e premtimeve që i kishin bërë zyrtarëve amerikanë si dhe nuk kanë pasur asnjë hetim serioz për këtë çështje.

Letra që iu dërgua Bidenit.

“Në mars 2020, Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Vrasjet Jashtëgjyqësore, Agnes Callamard, konfirmoi se Serbia është e detyruar në bazë të ligjit ndërkombëtar humanitar të hetojë zyrtarët aktualë ose ish-zyrtarë për vrasjen e Vëllezërve Bytyqi, duke përfshirë edhe ata brenda zinxhirit mbikëqyrës të komandës”, thuhet ndër tjerash në letrën dërguar Bidenit.

Po ashtu, në letrën dërguar Bidenit, është kërkuar që ai të kërkojë llogari nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për vrasjen e Vëllezërve Bytyqi, teksa është treguar në detaje se si ishte kryer kjo vrasje.

“Ne ju bëjmë thirrje që të përmbushni zotimin tuaj për të kërkuar përgjigje nga presidenti Vuciq dhe të kërkoni një hetim të plotë të këtij rasti, duke përfshirë edhe ata brenda zinxhirit komandues. Më në fund, pas më shumë se dy dekadash, familja e tyre duhet të dënohet me mbylljen që meritojnë”, thuhet tutje në letrën drejtuar Biden./SHQIP.com