Lajme

10 vjet nga heqja e barrikadës mbi urën e Ibrit në Mitrovicë

10 vjet nga heqja e barrikadës mbi urën e Ibrit në Mitrovicë
10 vjet nga heqja e barrikadës mbi urën e Ibrit në Mitrovicë

Barrikada mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, e vendosur nga strukturat paralele serbe të veriut, është hequr përfundimisht më 17 qershor të vitit 2014, rreth orës 5:00 të mëngjesit.

Aksioni për heqjen e kësaj barrikade, që dikur ishte vendosur nga të ashtuquajturat “rojat e urës”, është hequr nga të njëjtit, dhe ka zgjatur rreth katër orë, ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident.

Gjatë këtij aksioni, mbi urë janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe karabinierëve italianë, të cilët nuk lejonin praninë e qytetarëve afër urës.

Ndryshe, heqja e barrikadës e cila prej shumë kohësh kishte ndarë qytetin e Mitrovicës dhe ka penguar lirinë e lëvizjes u bë nga dy eskavatorë që kishin ardhur nga veriu.

Pas kësaj është ndërtuar një park dhe pastaj muri. Të dyja janë hequr por ura sërish nuk u lëshua me arsyetimin se Bashkimi Evropian po e rinovon. Aty ka kohë që kanë përfunduar punimet por ende nuk është lëshuar.

Ndërsa ditë më parë, në seancën e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, është paralajmëruar mundësia për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në pjesën jugore dhe veriore, Bashkimi Evropian thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

/Shqip.com