Varhelyi kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, deklaroi të mërkurën se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet e dhëna ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Këtë e tha në një deklarim për media para nisjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në Slloveni.
Para gazetarëve u shpreh se duhet të hapen negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të hiqen vizat për kosovarët, si dhe të hapen kapitujt e anëtarësimit për Serbinë.
“Liderët tanë jo vetëm do të konfirmojnë, por do ta bëjnë edhe shumë të qartë, që jemi të përkushtuar për integrim të plotë dhe anëtarësim të Ballkanit Perëndimor brenda Bashkimit Evropian. Prandaj do të duhet të marrim përgjegjësitë tona, dhe vendimet e duhura, që çojnë në këtë drejtim”.
“Pra duhet të zhvillojmë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të hapim kapitujt me Serbinë, të përshpejtojmë procesin e shpalljes së Bosnje-Hercegovinës vend kandidat, dhe të miratojmë liberalizimin e vizave për Kosovën”, deklaroi eurokomisioneri.
Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Kurti para mediave ka bërë thirrje për liberalizim të vizave për kosovarët, ndërsa vonesën në këtë proces e ka cilësuar padrejtësi të madhe të institucioneve evropiane. /SHQIP.com