Lajme

​Nagavci: Nuk do të tolerojmë asnjë rast abuzimi apo dhune me fëmijët në shkolla

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë nuk do të tolerohen abuzimet me fëmijë në institucionet edukative e arsimore.

Ajo ka thënë se një prej prioriteteve të kësaj ministre është parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve në shkolla.

Këto deklarata Nagavci i ka bërë të enjten në një konferencë të mbajtur për media, ku ka prezantuar punën që është bërë gjatë këtij viti në arsim.

“Sa i përket çështjes së kodit etik, janë disa raste me të cilat jemi marrë si raste individuale, referuar edhe rastet për ngacmime apo për dhunën që ka ndodhur ndaj fëmijëve, dhe kjo është një nga prioritetet tona, nuk do të tolerohet asnjë rast kur dikush abuzon me fëmijët në institucionet tona edukativo-arsimore….”, ka thënë ajo.

Mes tjerash, Nagavci ka thënë se pandemia u ka shkaktuar shumë vështirësi dhe ka e goditur rëndë arsimin.

Më tej, ministrja ka bërë të ditur se shkalla e braktisjes në arsimin e obliguar ka qenë më pak se 1% për periudhën 2020-2021.

“Në vitin 2020-2021 shkalla e braktisjes në arsimin e obliguar, pra për klasat prej një deri në nëntë ka qenë 0.05% pra më pak 1%, por gjithsesi se kjo na obligon që të punojmë që të kemi plotësisht të evituar braktisjen edhe në këtë shkallë kaq të vogël…”.

“Në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar janë identifikuar 190 vajza, kryesisht të komunitetit rom, ashkali, egjiptian, në rrezik të braktisjes ose që e kanë braktisur shkollën me të cilat kemi punuar që të kthehen në shkollë duke ofruar edhe mundësi të motivimit, duke i pajisur me laptop përveç ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për vazhdimin e shkollimit”, është shprehur Nagavci./SHQIP.com