N'shënjestër Dosja: Inteligjenca e Zhvatjes – Pjesa 3

Ekskluzive: Shantazh, pastrim figurash dhe emërime nëpër poste – Masterplani i Dardan Nuhiut për plaçkitje dhe shantazh – Pjesa 2

Publikimi i tretë në serinë e publikimeve “Dosja Inteligjenca e Zhvatjes”. Ky është Dardan Nuhiu, njeriu që thotë se kontrollon gjyqtarët, ATK-në, politikanët, mediat dhe gjithë të tjerët.

“Krye dy vjete unë i kapi krejtë qeto ma të fortat qi jonë”.

Kështu thotë Dardan Nuhiu, drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare, një nga institucionet më të fuqishme në Kosovë, që merret me hetimin e parave të pista.

Megjithatë, Nuhiu nuk po flet për kapjen e kriminelëve. As plani i tij nuk ka të bëjë me ndonjë strategji dyvjeçare të hartuar në NjIF.

Ai dëshiron t’i kap mediat dhe siç e quan “sistemin medial” të Kosovës. Makutëria e Nuhiut shpaloset në disa biseda telefonike të realizuara gjatë muajit korrik të vitit të kaluar, të cilat i ka siguruar Gazeta Online Shqip.com.

“Na vynë. Na vynë. Na vynë me hy diku”, përsëritë vetën Nuhiu, në tentim për ta bindur bashkëbiseduesin, që të bëhet edhe ai pjesë e orvatjes së tij, duke ia shpjeguar më pas edhe qëllimin pse “na vynë”.

“Kur dojna me iu lëshu dikujna na vynë”, thotë drejtor Nuhiu.

“Ti hin kadal gradualisht në qoftë se don me hi. Në qoftë se s’don ashtu e kshtu unë ta boj për nder e për dost, po ti munesh me hi me mue”.

Personi të cilit i ofron partneritet Nuhiu në fillim tregohet skeptik, prandaj ai vazhdon me shtrimin e benefiteve të tjera që ka kontrollimi i mediave. Ia tregon edhe një shembull konkret se si funksionon.

I thotë se; “kom folë edhe me Vehbinë (Kajtazin) e me ata me ja nis me u marrë me ty me ta pastru figurën”.

Nuhiu e ka parë, siç thotë ai, se si të tjerë që kontrollojnë media i “plaçkisin”, politikanët, prandaj përse të mos e bëj vetë.

“Çiftin e atij katolikut (Aleksandër Lumezin) për shembull, qata unë sa t’i kapi, kur t’i kapi ia nshoj gjinen atina. Veç i thom po pidh none po, ani preke qeto e une t’kallxoj knena”.

Përveç kontrollimit të gazetarëve, Dardan Nuhiu – personi që zyrtarisht merret edhe me shpërndarjen e informatave në lidhje me dyshimin për pastrim të parave dhe financim të terrorizmit tek autoritetet kompetente – tregon se i kontrollon edhe personat brenda drejtësisë.

Madje pohon se u dikton edhe çfarë vendimesh duhet të marrin ata. Sipas Nuhiut, binden pa-pyetje.

Nuhiu vazhdon me përmendjen e emrave konkret të gjykatësve që ka kërcënuar se po s’u bë si thotë ai, i presin pasoja.

Ndërhyrjet, siç tregon vetë Nuhiu në bisedat telefonike që posedon Shqip.com, i bën për “jarana”.

Përveç te gjykatësit, Nuhiu zbulon se ka ndikim edhe në institucione të tjera shtetërore, siç është Administrata Tatimore e Kosovës.

Madje aludon se është ai që vendos për emërimin e udhëheqësve në këtë institucion.

Prandaj, lehtësisht u kryen punë atyre që dëshiron.

Në një pjesë tjetër të bisedës Nuhiu tregon edhe një aspekt të planit të tij.

Pasja nën kontroll e mediave pret t’i shërbejë edhe për mbrojtjen e shokëve të pushtetshëm, veçanërisht njërit.

“Qeto janë elemente qi i kom marrë për me hi në media, sistem medial e  sene”.

Shton se do t’i përdorë “çkado që ndodhë me to”, sepse “e komë pas krah. M‘ka krahë”.

Shqip.com nesër, e mërkurë, vazhdon me publikimin e radhës, të një tjetër funksionari të lartë shtetëror, që është pjesë e shkeljeve dhe keqpërdorimeve të pozitës zyrtare.

Më poshtë mund të gjeni pjesët e tjera, tashmë të publikuara, të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”.