N'shënjestër Dosja “Inteligjenca e Zhvatjes”

Ekskluzive: Ndërhyrje në raste, ushtrim i ndikimit, keqpërdorim i pozitës dhe fotografi të dyshimta – rasti me plot dritëhije i prokurores Shemsije Asllani

Ky është publikimi i parë në serinë e publikimeve “Dosja Inteligjenca e Zhvatjes”.

Përfshirje në raste për të ushtruar ndikimin, shfrytëzim i pozitës për të ndikuar në përzgjedhjen e të tjerëve dhe favore në raste të caktuara, janë vetëm disa nga shkeljet ligjore që zbulohen nga një bisedë telefonike, përgjimin e së cilës e ka siguruar Shqip.com.

Në këtë bisedë prokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, i tregon një telefonuesi se si ka ndikim të madh brenda sistemit dhe do ta përdorë këtë ndikim për të ndërhyrë edhe në rastin e tij.

Ajo premton se do ta ushtrojë ndikimin e saj, vepër penale kjo e dënueshme deri në tetë vjet burg, në rastin e një personi që thotë se padrejtësisht iu ka ndaluar një veturë shumë e kushtueshme.

Asllani fillimisht refuzon të flas, por qasja i ndryshon kur kupton se bashkëbiseduesi di gjëra sekret për të, të cilat po u zbuluan do t’ia dëmtonin imazhin dhe do të mund ta implikonin në shkelje ligjore.

Asllani e di se biseda me një person privat për një rast në të cilin ajo nuk është prokurore është e ndaluar me ligj, por kjo nuk i pengon.

Ajo vazhdon të flas dhe të implikohet. Krejt çfarë i duhet është një siguri nga bashkëbiseduesi që biseda që po bëhet të mos dëgjohet nga dikush tjetër, kurrë.

“Kjo në dhe ka me hi”, “të lutëm”, i thotë Shemsije Asllani, personit me të cilin po diskutonte në telefon rreth problemit që ai e kishte me krye-prokurorin Aleksandër Lumezi, derisa i tregonte Asllanit se ka parë diçka jo të “hijshme” për të.

“Se s’më hin në xhep kurgjo. Veç nëse i ndihmojnë njëri tjetrit për të mirë”, thotë Asllani, por përgatitet të dëgjojë se çfarë ka për t’i thënë telefonuesi, në të cilin kishte rënë në kontakt përmes një miku.

Kjo është biseda mbi 40 minutëshe në mes të prokurores dhe personit që e thërret për t’i çarë hallin, por edhe për t’i treguar se ka parë një dosje në të cilën del, sipas tij, se Asllani, pos tjerash, kryen disa shërbime për shefin e saj Lumezin.

Aq sa kuptohet nga biseda e siguruar nga Shqip.com në mes të personit ende të paidentifikuar dhe prokurores, bëhet fjalë për një veturë të cilën telefonuesi thotë se ia kanë konfiskuar pa të drejtë, po ia mbajnë qëllimisht dhe përgjegjës e bën Aleksandër Lumezin.

Ai ka gjetur një lidhje për te Shemsije Asllani dhe ajo ka pranuar të flas në telefon vetëm pasi ka kuptuar se telefonuesi ka parë diçka dhe di diçka rreth saj.

Asllani në fillim të bisedës thekson se telefonata i duket e panevojshme, por më pas i shtohet interesi, kur dëgjon disa nga informacionet që i ka telefonuesi për të.

Ai, jo shumë qartësisht, thotë se ka kontakt me dikë që po e heton Lumezin. E lë të nënkuptohet se bëhet fjalë për ndërkombëtarë.

“Tha na jemi t’u e hetu, t’u e hetu na jemi Lumezin që nja 3-4 vjet, tha. Për korrupsion, për seksualitet më fal në shprehje… Edhe për përdorje të kokainit”, thotë ai.

Asllani përcjellë me disa “aha” radhazi.

“Domtha Shemsije, unë emrin tond e kom pa aty. I kom pa nja 80 foto i kom pa aty ma s’pakti”.

Asllani bën si e çuditur, derisa pyet për rikonfirmim. “Edhe temin a?”.

“Po”, konfirmon bashkëbiseduesi, “nja 10 (tuat) sigurisht i kom pa”.

Asllanit i duhet sigurim shtesë, prandaj vazhdon me pyetje. “Më fal, ti mu a po më njeh si dukem unë?”.

“Po, fort mirë të njoh”, ia kthen ai me një o të zgjatur.

“Edhe kompliment, kompliment, je femën e bukur”.

Ajo qeshë.

“Më shtinë me qeshë, se koka me rëndësi për mua”. Derisa shpreh habinë e saj për atë që po dëgjonte, por nuk ëashtë se mohon diçka. “Ua çka m’kallxove. Qysh më ka tingëllu!”.

Prokurorja kërkon të dijë më shumë nga bashkëfolësi në anën tjetër të telefonit.

Ai ia plotëson kërkesën.

“Edhe domethon ka foto, ka foto në oborr të shpisë tande, natën ka aty”.

“Qyre, qatë natë si o…” dëshiron të vazhdojë telefonuesi, por Asllani e ndërprenë, duke i bërë një pyetje retorike se “Çka ka lidhje?”, dhe argumenton se “unë atë epror e kam”.

Telefonuesi thotë se di dhe ka parë shumë më shumë.

“Kur të jom në Kosovë, unë muj me fol me atë shokun tem edhe ty me t’i tregu do sene”, thotë ai.

Asllani mezi përmbahet. “Kuku çka më kallxove tash ti mu… edhe?”, do më shumë ajo.

“Edhe a je tu më ndigu veç vetëm?”.

“Po, po, po… edhe me shumë vëmendje”, e siguron Asllani.

“Edhe do me thonë ka foto aty natën, Lumezi me X (emër i njohur për redaksinë) në oborr tanin”.

Asllani e sfidon. Prapë e pyet. “Çka ka lidhje?”, derisa i thotë personit në telefon se  “o zot çka kisha pas qef me të taku kështu live”.

Ai jep informata deri diku gjysmake, por ato mjaftojnë për ta bindur Asllanin se dika mjaftueshëm. Prandaj, ajo lëshohet në dëgjimin e rastit të tij dhe – gjithsesi me kujdes të shtuar – tenton t’i tregojë se cilado do ishin mënyrat më të mira për ta ndihmuar në rastin e tij dhe si do të mund të ndërhyjë ajo.

“Tash çka më përket mu: makinën ma kanë nalë, makinën e kompanisë, osht t’u më dëmtu. Krejt puna e inatit edhe pa asnjë arsye”.

Ai kalon prapë të gjërat që ka parë për Asllanin.

“Une s’muj me të kallxu ty pollavra. Une jam njeri që flas vetëm me fakte. Faktet i kom pa, provat i kom pa. Figuron ti në shume vene, figuron aty”.

Prokurorja thotë se çfarëdo që bëjnë kolegët e saj, ajo nuk është pjesë “e gjanave”.

Pohon se ato që telefonuesi po i thotë s’kanë lidhje me të dhe ajo është krejtësisht e pastër. Mohon çfarëdo lidhje me parregullsi ligjore që përmenden në bisedë dhe thotë se punën e bën në mënyrë të drejtë.

Megjithatë, telefonatën e vazhdon.

“Dëgjom tani. Ti po më njifshe në një aspekt… nuk mund të shpjegohem shumë gjatë, por unë jam shumë falënderuese”, thotë Asllani, derisa interesohet që biseda të vazhdohet në një tjetër formë.

“A do të dalësh këtu në Kosovë, në Prishtinë?”, pyet ajo duke kërkuar një datë të saktë. “Kur do me ardhë?”.

Por, telefonuesi nuk ka një përgjigje konkrete. Ai veç tregon se “nuk vanona fort”.

Asllani dhe telefonuesi i kthehen bisedës rreth problemit të këtij të fundit. Ai do që vetura që po i mbahet t’i kthehet dhe Asllani tani ia shpjegon se si do të mund të ndërhynte ajo në gjithë këtë situatë.

“Ne duhet t’ju ndihmojmë brenda suazave pa bo dëm, sepse edhe për mu është përgjegjësi nëse unë hi dhe interesohem. Por në mënyrën më të dinjitetshme duhna me ja shpjegu që kjo është e vërteta. A e ke të qartë për anën tënde? Për aspektin tjetër, unë jam rahat. Unë të falënderoj shumë për këtë që ma dhe si informatë”, thotë ajo.

Asllani prapë e siguron personin që “do të qasem në mënyrën ma të drejtë dhe ma të mirën pa i ba dam maspari unë vetëvetes”.

Dëmi për të cilin flet Asllani ka të bëjë me nenin 424 në Kodin Penal të Republikë së Kosovës, apo “ushtrimi i ndikimit”, ku ndalohet çfarëdo ndikimi mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

“Pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”, saktëson neni.

Por, Asllani nuk e konsideron si ndonjë ushtrim i ndikimit, por si “obligim me çu një mesazh të drejtë, të sinqertë”.

“Aq sa mundem. Por nuk e kam në dorë, nuk është në dorën time tani. A e ke të qartë? Po ta kisha në dorën time, ta kisha sqarua për dy sekonda”.

Asllani e di se ndërhyrja dhe interesimi për lëndët e të tjerëve janë shkelje. Prandaj, thotë se ka merak se si do të qaset.

“Unë jam e pamvarun në landën time, po jo me interferu në landë e me u interesu çka po bohët. Njëherë kom shkelje të Kodit të Etikës. Nëse dikush interferon, që po interesohem.  ‘Çka po të intereson ty, ku po të lidhet interesi?’”.

“Unë kur të qasna, duhna me i tregu në mënyrën më të sinqertë. Unë duhna me thonë të kom mik, me thonë diçka që kom besim, edhe qeky njeri nuk të rren”, shpjegon prokurorja.

Por, Kodi i Etikës dhe Sjelljes për Prokurorë, të cilin Asllani tërthorazi e citoi më lartë, e specifikon qartë se “Prokurori duhet të veprojë në mënyrë të pavarur gjatë ushtrimit të funksionit të tij, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe vlerësimin e lirë të fakteve, pa kufizime, ndërhyrje, presion ose kërcënim nga çdokush dhe për çfarëdo arsye”.

Madje pavarësia e prokurorit është pika e parë e këtij Kodi.

“Prokurori mbështetet nga shoqëria, duhet të jetë i pavarur gjatë punës së tij dhe të marrë vendime bazuar në arsyet objektive. Interesi personal i prokurorit duhet t’i nënshtrohet interesit publik dhe nuk mund të udhëhiqet nga interesi i tij personal dhe nga motive të papërshtatshme”.

Ndërsa një pikë tjetër e këtij Kodi te pjesa e Integritetit tregon se integriteti i prokurorit nuk ka të bëjë vetëm me sjelljen e tij gjatë punës zyrtare, por edhe në jetën private.

“Shkelja e integritetit mund të përfshijë një veprim ose mosveprim, qoftë gjatë ushtrimit të detyrës dhe në jetën private, që është në kundërshtim me ligjin, politikat dhe strategjitë e sistemit prokurorial, udhëzimet administrative, ose një veprim që përbën vepër penale”, thuhet në këtë pikë.

Por, ndërhyrjen më të rëndë Asllani tregon ta ketë bërë në një tjetër institucion, jashtë Prokurorisë.

“Menihere për në AKI kur më tha X (emër i njohur për redaksinë) për me fol, une fola në AKI. I kam miqtë, i kam njerëzit që më ruajnë”, tregon ajo të jetë interesuar për rastin e këtij personi edhe në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Gjatë bisedës Asllani pohon vetë për një tjetër parregullsi profesionale të saj. Ajo flet se si i ka ndihmuar dikujt të bëhet gjyqtar, por ai tash nuk po tregohet falënderues.

“Dikush lypke me i ndihmu për me u bo gjyqtar, edhe kish reputacion edhe më tha më duhet ndihma juaj edhe i thash po kam me të ndihmu se është zyrtar i imi, bashkëpunëtor”, tregon ajo.

“Kur i ndihmova edhe a din, i ndihmova maksimal. Edhe masi e kuptoj tha une kom lexu e diçka, edhe më fal në shprehje ma rrotulloj barkun edhe i thashë për që ke lexu, krejt në rregull unë e di që je djalë i lexueshëm edhe përqata kom dashtë me të ndihmu, po çaj leximi yt gjatë gjithë jetës, në profesionalizëm ke me e tregu vetën. Mos e harro… por këto thash ti je në kategorinë e barabartë dej ku je intervistu”.

Prokurorja vazhdon duke treguar se gjatë intervistimit të kandidatëve për gjyqtar, ajo nuk e shikon se sa dinë, por më shumë bazohet se në kë “po i flenë shpirti”.

“Edhe unë kur kam simpati ndaj dikujt, nashta hiç s’është inteligjent po qe kam simpati edhe ja jap maksimale, që ka nashta është dikush inteligjent po unë nuk ja jap maksimumin. Që unë kam qef dikujt tjetër. Qe mu simpatia më flen, më flen shpirti te dikush tjetër”, thotë ajo, derisa kërkon nga bashkëbiseduesi që “le të metët mes teje pash Zotin si vëlla po ta them”.

Ajo kthehet prapë te problemi i veturës. I premton që do merret me këtë punë dhe “në momentin që flas kom me e thirr X (emër i njohur për redaksinë) edhe kemi me bisedu për këtë çështje”.

“Ishalla unë jam aj sebepi dhe të zgjidhet ky problem sa ma shpejtë”.

Biseda përfundon. Nuk dihet se cili ka qenë ndikimi i Shemsije Asllanit në këtë rast.

Shqip.com ka kontaktuar me prokuroren Asllani. Ajo fillimisht nuk ka dashur të flas fare, pasi ka thënë se “nuk kam kohë”.

Më pas është sqaruar duket thënë se “nuk e di çka janë ato përgjime”, por ka vazhduar me konstatimin se “janë të paligjshme”.

Kur është pyetur se përse ka dashur ta ndihmojë personin që nuk e njihte më parë dhe të interferonte në një rast të dikujt tjetër, ka thënë se “kjo nuk është e vërtetë”.

“Jo, ju po e interpretoni në atë formë”, pohoi Asllani, duke kërkuar që të mos pengohet më dhe më pas ka mbyllur telefonin.

Asllani vazhdon të punojë si prokurore në Prishtinë. Kosova vazhdon të jetë një nga shtetet me sistemin korruptiv më të madh në rajon. Ndër institucionet që vlerësohen se janë më të korruptuarat, janë institucionet e drejtësisë. Kjo është edhe një nga arsyet përse ministrja e re e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, një nga planet më imediate e ka shpallur të jetë dhe Vettingu, apo Reforma në Drejtësi.