LIVE: Kosova përballet me vërshime, përmbytje në disa zona

Kosova po përballët me mot të keq gjatë ditëve të fundit gjë për të cilën ka paralajmëruar edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Në Komunën e Skenderajt është shpallur gjendje e jashtëzakonshme nga kryetari Fadil Nura.

Përkundër kësaj, banorët e fshatit Kuçicë dhe Klinës së Epërme në Skenderaj për të cilat ka raportuar Shqip.com, janë të bllokuar nga vërshimet.

Në këtë zonë ka edhe shkëputje të sistemit energjetik.

Përmbledhje

Nesër në të gjitha shkollat e Klinës fillon mësimi
KEDS: Në Mitrovicë e Skenderaj furnizimi me energji elektrike është stabil
Në katër shkolla të Skenderajt nesër nuk mbahet mësim
Ekziston rreziku për epidemi hidrike, IKShPK rekomandon vlimin e ujit
Kurti: Ekziston rreziku për epidemi pas vërshimeve
FSK shpërndanë donacione për të prekurit nga vërshimet
AKK kërkon nga Qeveria fond emergjent për zonat e prekura nga vërshimet
Kurti dhe dy ministrat e tij kanë vizituar sot Skenderajn, iu kërkua mbështetje
Vazhdojnë reduktimet e ujit në disa zona
Krasniqi: Qeveria të ndaj fonde për kompensim ndaj dëmeve nga vërshimet
Elezaj: Vërshimet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme
Instituti Hidrometeorologjik tregon se deri kur do të vazhdojnë reshjet e shiut
Kryeministri viziton Istogun pas vërshimeve: Qëndrojmë pranë banorëve
FSK-ja publikon pamjet nga operacionet në zonat e vërshimeve
Policia e Kosovës shton patrullimet në zonat e vërshimeve
Qeveria reagon pas vërshimeve: Kemi ngritur nivelin e gatishmërisë
Reshjet e shiut, KEDS: Po sanojmë dëmet e shkaktuara në rrjet
Përmbytjet e mëdha, Instituti del me njoftim
Vërshimet në Podujevë, Bulliqi jep detaje
Përmbytet Vitomirica pas reshjeve të shumta të shiut
Hamza monitoron situatën në terren pas reshjeve të mëdha të shiut
Shumë shtëpi bllokohen nga vërshimet në Kuçicë të Skenderajt, bëhet thirrje për evakuim
Vërshimet në Skenderaj, Nura shpallë gjendje të jashtëzakonshme
Reshje të mëdha shiu, disa zona me reduktime për ujë të pijes
IHMK paralajmëron për vërshime e përmbytje gjatë ditëve të ardhshme
Raportohet për vërshime, Komuna e Pejës jep detaje për Shqip.com
Kosova përballet me vërshime, përmbytje në disa zona
Nesër në të gjitha shkollat e Klinës fillon mësimi

Pas vërshimeve dhe reshjeve që kapluan qytetin e Klinës, duket se gjendja tashmë është stabile.

Drejtoria Komunale e Arsimit ka bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme në të gjitha shkollat e Klinës pritet të fillojë mësimi.

“Drejtoria Komunale e Arsimit njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët se nesër, më datë 23 janar, rifillon procesi edukativo-mësimor në të gjitha shkollat e komunës së Klinës dhe në çerdhen e qytetit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se procesi mësimor do të vazhdojë me orar të rregullt, ndërsa për datën e zëvendësimit të procesit mësimor për ditën e premte do të njoftoheni nga drejtoritë e shkollave përkatëse.

KEDS: Në Mitrovicë e Skenderaj furnizimi me energji elektrike është stabil

Pas vërshimeve dhe reshjeve që ndodhën ditën e enjte, gjendja e furnizimit me energji elektrike në Mitrovicë dhe Skenderaj është stabile.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një njoftimi për media nga KEDS-i.

“Falë punës së pandërprerë të ekipeve të terrenit të KEDS-it, shumica e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet tashmë janë riparuar. Në Mitrovicë e në Skenderaj, të cilat u prekën më së shumti nga këto vërshime, gjendja me furnizim me energji elektrike është stabile”.

Sipas KEDS-it, ka mbetur vetëm një zonë e vogël në Skenderaj pa furnizim për shkak të përmbytjeve të mëdha, megjithatë pritet që nesër edhe kësaj zone t’i kthehet furnizimi i rregullt me energji.

Po ashtu është bërë e ditur se në anën tjetër, ekipet e terrenit gjenden akoma në Rugovë në kërkim të prishjes që ka ndodhur në rrjet për shkak të borës së madhe dhe kushteve të papërshtatshme në terren.

Në katër shkolla të Skenderajt nesër nuk mbahet mësim

Për shkak të vërshimeve dhe reshjeve, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Skenderajt ka vendosur që nesër mësimi të mos mbahet në katër shkolla.

Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Kastriot Duraku.

“Njoftohen nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se, nesër, ditë e hënë, do të mbahet mësimi i rregullt në shumicën e shkollave të komunës sonë. Ndërsa, mësimi nuk do të mbahet në shkollat: Gjimnazi ” Hamëz Jashari”, ShMLP “Anton Çetta”, Shfmu “Ismet Rrahmani” Aqarevë dhe Shfmu ” Bashkim Sadiku” në Tushilë, të cilat për shkak të dëmeve të mëdha nga përmbytjet nuk kemi arritur ende t’i kthejmë në gjendje normale”, ka shkruar Duraku në rrjetin social në Facebook.

Theksojmë se sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar Komunën e Skenderajt e Mitrovicës si zona të prekura nga vërshimet.

Por, ajo të cilën e theksoi Kurti është se ekziston rreziku për epidemi pas vërshimeve.

Tutje, Kurti tha se pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuar.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit tha se Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate.

Ekziston rreziku për epidemi hidrike, IKShPK rekomandon vlimin e ujit

Instituti Kombëtar Shëndetit Publik të Kosovës ka rekomanduar së fundi që uji të vlohet përpara përdorimit për shkak se ekziston rreziku opër shpërthimin e epidemive hidrike.

Përmes një reagimi për media janë dhënë edhe disa rekomanime të tjera në kohën kur vendi është përballur me vërshime të mëdha e që disa zona janë të prekura shumë.

“Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike. Kjo procedurë e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike.  Të shfrytëzohen resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar. Si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit tonë situata me ujë të pijes është vështërsuar dukshëm”.

Sipas IKShPK-së, Qeveria e Kosovës është në gjendje gatishmërie që së bashku me institucionet përkatëse për monitorimin e situatës në vend.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse.  Ekipet e Institutit Kombëtar po vazhdojnë me vigjilencë të shtuar dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes. Të gjitha QRSHP në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare pa ndërprerë me specialistët e ekologjisë humane dhe epidemiologjisë dhe po monitorojnë situatën epidemiologjike e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve”.

Krahas kësaj, IKShPk ka treguar se disa zona ende përballën me vështirësitë për furnizimin me ujë të pijes duke jep edhe një rekomandim për të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit.

“IKSHPK / Qendra e Ujit rekomandon të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) me qëllim të stabilizimit të furnizimit: Përcjellja e vlerave të turbullirës dhe kujdes i shtuar në procesin e trajtimit, Kujdes i shtuar në procesin e dezinfektimit, Mbrojtje të stabilimenteve dhe të burimeve, Sanimin e gjendjes aktuale në rast të defekteve teknike,  Riparimi dhe debllokimi i pusetave, Sanimi i dëmtimeve ne rrjetin shpërndarës”.

Tutje, thuhet se ekipet e Institutit Kombëtar janë në gjendje gatishmërie dhe vazhdojnë me monitorim të rregullt dhe në dispozicion me të gjitha kapacitetet për të ruajtur situatën stabile dhe për çdo përkeqësim të situates epidemiologjike do të bëjë informimin e qytetarëve.

Kurti: Ekziston rreziku për epidemi pas vërshimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar Komunën e Skenderajt e Mitrovicës si zona të prekura nga vërshimet.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka treguar ato së çfarë kishte parë në këto zona, duke përmendur dëmtime në infrastrukturë, bagëti të ngordhura e shumë gjëra të tjera.

“Në Skenderaj dhe Mitrovicë isha sot bashkë me ministrat Mehaj e Krasniqi, dhe zëvendësministrat Gashani e Dobra. Duke ju falënderuar angazhimit dhe solidaritetit të të gjithëve me njëri-tjetrin nuk kemi jetë të humbura nga vërshimet. Ka dëme të konsiderueshme materiale: janë dëmtuar ndërtesa e infrastrukturë publike, shtëpi banimi, ferma bujqësore e biznese. Në Skenderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula”.

Por, ajo të cilën e theksoi Kurti është se ekziston rreziku për epidemi pas vërshimeve.

“Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit. Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi. Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura”.

Tutje, Kurti tha se pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuara.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit tha se Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate.

FSK shpërndanë donacione për të prekurit nga vërshimet

Forca e Sigurisë së Kosovës iu ka dal në ndihmë banorëve në zonat e prekura nga vërshimet e fundit.

Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare, FSK ka njoftuar se disa nga banorëve të këtyre zonave iu është dhuruar donacion i grumbulluar me pajisje higjenike dhe ushqimore.

“Forca e Sigurisë së Kosovës edhe sot është në zonat ku ndodhën përmbytjet, për t’u dal në ndihmë qytetarëve të prekur të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Një donacion i grumbulluar me pajisje higjenike e ushqimore është duke u shpërndarë sot në komunat më të prekura, Mitrovicë e Skenderaj nga ekipet e FSK-së, për të lehtësuar sa do pak jetën e vështirësuar të shkaktuar nga përmbytjet”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Tutje, në njoftimin e FSK-së thuhet se ata do të jenë në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët me kapacitetet e saj njerëzore e teknike.

AKK kërkon nga Qeveria fond emergjent për zonat e prekura nga vërshimet

Asociacioni i Komunave të Kosovës sot kanë vizituar Komunën e Skenderajt si zona më e prekur nga vërshimet e fundit, ku janë pritur nga kryetari Fadil Nura.

Në një komunikatë për media thuhet se bordi i AKK-së ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës krijimin e një fondi emergjent për zonat e prekura nga vërshimet.

“Kjo vizitë u bë për të parë nga afër situatën pas vërshimeve nga të reshurat dhe për t’u solidarizuar me qytetarët e zonave të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore. Po ashtu delegacioni i Bordit të AKK-së me këtë rast shprehu solidarizim me gjitha zonat e prekura nga vërshimet në komunën e Skenderajit, Istogut, Mitrovicës, Klinës, Podujevës dhe zonat tjera të cilat u prekën nga të reshurat e shiut. Bordi i AKK-së ka kërkuar që Qeveria duhet t’u mundësojë Komunave një Fond Emergjent, pasi që vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit Komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Sipas AKK-së, kërkohet që ky fond të menaxhohet nga komunat.

“Prandaj Bordi kërkon që Fondin Emergjent ta menaxhojnë Komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre. Në këtë takim janë diskutuar edhe mundësitë tjera të bashkëpunimit mes Komunave edhe në rastet e fatkeqësive natyrore”.

Kujtojmë se shumë banorë në Skenderaj kanë kërkuar evakuim pas përballjes me fatkeqësi natyrore. Janë shkatërruar shumë shtëpi dhe gjendja në qytetet është shumë e keqe për shkak të dëmeve të mëdha të shkaktuara nga vërshimet.

Kurti dhe dy ministrat e tij kanë vizituar sot Skenderajn, iu kërkua mbështetje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ai i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë vizituar sot gjatë ditës Komunën e Skenderajt.

Kjo është bërë e ditur nga vetë kryetari i kësaj komune, Fadil Nura.

“Sot me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti dhe me ministrat z.Armend Mehaj dhe z.Elbert Krasniqi, vizituam Llaushën, për të parë afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet, që përveç ekonomitë familjare dhe bujqësia, edhe infrastruktura publike është në gjendje të rëndë, ku në disa zona është vështirësuar qarkullimi dhe furnizimet. Dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe ne fermën e pulave”, shkroi Nura.

Tutje, Nura tha se familjet e prekura në Komunën e Skenderajt kanë nevojë më shumë se kurrë për përkrahjen e nivelit qendror.

Vazhdojnë reduktimet e ujit në disa zona

Për shkak të përkeqësimit të motit dhe vërshimeve, ka pasur edhe turbullim të ujin në kanalin e Ibrit.

Sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, reduktimet në disa zona janë duke vazhduar ende.

“Për qytetin e Drenasit, ju njoftojmë se kemi filluar trajtimin e ujit në orët e mesnatës me kapacitet të ulët trajtimi, duke filluar edhe furnizimin me ujë në orët e mëngjesit të sotëm. Drenasi sot furnizohet nga ora 6:00-11:00, pastaj duhet akumulim, për t’u rikthyer furnizimi me ujë në orët e darkës për Drenas. Pikat e larta në Drenas që nuk janë furnizuar me ujë nga sistemi i furnizimit, kanë autobotin (auto cisternën) si alternativë për situatën që po kalojmë”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit rajonal.

Ujësjellësi rajonal “Prishtina” ka njoftuar edhe për zonat e tjera të cilat janë të prekura nga ky rrjet i ujit.

“Përderisa, ITU Shkabaj është jashtë funksionit qytetet si: Fushë Kosova së bashku me Zonën Industriale, lagjja Kalabria, Obiliqi po furnizohen nga alternativa tjera, respektivisht nga Impiantet tjera. Për këtë do të kenë reduktime të furnizimit me ujë në oraret e njëjta sikurse ditët tjera duke vazhduar edhe sot nga ora 10:00 dhe do zgjasë deri në 16:00. Pastaj nga ora 16:00-20:00 kanë furnizim me ujë, për të vazhduar edhe ditën e nesërme me të njëjtin orar, vetëm se furnizimi për ditën e nesërme fillon në ora 05:00 në mëngjes. Për zonat e Kryeqytetit, reduktime jemi shtrënguar të aplikojmë nga ora 23:00-5:00, përveç qendra e qytetit, QKUK, QKMF-të, Dardania”.

Tutje, thuhet se një situatë e tillë do të vazhdojë deri në përmirësimin e situatës

Krasniqi: Qeveria të ndajë fonde për komunat e prekura nga vërshimet

Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ka bërë sot thirrje Qeverisë së Kosovës që të mblidhet me urgjencë dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura nga vërshimet.

Ai tha se në këtë kohë kërkohet veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore.

“Gjendja e vendbanimeve të prekura nga vërshimet në Skënderaj, Mitrovicë e Istog, si dhe Podujevë e Klinë, po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë. Banorët e atyre zonave po përballën me vështirësi të mëdha, përfshirë mungesën e strehimit. Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë”, ka thënë Krasniqi.

Përkundër se komunat janë në krye të detyrës, sipas Krasniqit, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë.

“Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta. Shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues, por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë”, ka thënë ai.

Kryetari i Skenderajt krijon fondin emergjent pas vërshimeve
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar se ka themeluar Fondin Emergjent, për të ndihmuar në përballimin e krizës pas dëmeve të shkaktuar nga  vërshimeve si pasojë e reshjeve të shiut.

Nura përmes një video mesazhi në Facebook u ka bërë thirrje që të ndihmohet kjo komunë duke thënë se buxheti komunal është i pamjaftueshëm.

“Kam themeluar Fondin Emergjent të rindërtimit pas vërshimeve përmes të cilit do të grumbullohen mjetet finaciare për këtë situatë të rëndë për Skenderajn”, ka thënë Nura.

Ai ka njoftuar se detaje si xhirollogaria e fondit do të publikohen të hënë.

Komuna e Skenderajt ishte një nga më të dëmtuarat pas vërshimeve që ndodhën të gjatë të enjtes. Shumë  shtëpi, biznese e kultura bujqësore, infrastrukturë rrugore është dëmtuar në këtë qytet.

Nënkryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, ka thënë se pas luftës kjo është situata me rëndë në këtë komunë.
Pas vërshimeve dhe përmbytjeve, IKSHP-ja del me udhëzime për qytetarët
Pas vërshimeve e përmbytjeve në disa pjesë të vendit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka udhëzuar qytetarët që të vlojnë ujin para përdorimit.

Sipas IKSHP-së, kjo procedurë është e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike.
“Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike. Kjo procedurë e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike”, thuhet në njoftim.

Instituti ka këshilluar edhe që të shfrytëzohen resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar.
“Si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit tonë situata me ujë të pijes është vështirësuar dukshëm”, thuhet në postimin e IKSHP-së.

Instituti ka thënë se ekipet janë në gjendje gatishmërie dhe vazhdojnë me monitorim të rregullt dhe në dispozicion me të gjitha kapacitetet për të ruajtur situatën stabile.
MPB jep detaje pas vërshimeve e përmbytjeve
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për situatën gjatë natës, pas vërshimeve e përmbytjeve në disa pjesë të vendit.

Sipas MPB-së, ka qenë një natë e qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara.
Ministria ka thënë se po vazhdohet angazhimi me pompa për largimin e ujit në shtëpitë ku ka pasur përmbytje dhe se po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet

“Nga mbledhja e raporteve periodike të të gjitha institucioneve relevante, pas ndaljes së reshjeve të shiut, vendi ynë ka kaluar natë të qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara. Njësitet profesionale të AME-së po vazhdojnë angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet. Aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit.

Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të vazhdojë koordinimin ndër-institucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga Komunat dhe nga qytetarët”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sot, mot i vranët me riga shiu e bore
Të shtunën (sot), parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu dhe fjolla bore.
Temperaturat minimale sipas IHMK-së do të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-5gradë Celsius.

Për shkak të reshjeve ditëve të fundit disa komuna të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet.

Situata me e rënd është raportuar në Skenderaj dhe Mitrovicë.
Hajnia e fshehur në rrjedhën e lumenjve (Video)

Për dy ditë rresht, Kosova është përfshirë nga reshje të shumta shiu, ku për pasojë ka përmbytje në disa komuna, kryesisht në zonat e Drenicës dhe në Dukagjin.

Për këto fatkeqësi natyrore, emisioni n’Shënjestër, i përgatitur nga  Shqip.com  i transmetuar më datë 18.05.2022, kishte sjellë një realitet të hidhur të një varg investimesh në lumenjtë e Kosovës.

Brenda pesë vjetësh Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me komunat investuan në 142 projekte, prej të cilave asnjë nuk i plotësonte kriteret bazë. Pas një varg ngecjesh, në vitin 2021 u krijua një grup punues me qëllim të verifikimit të gjendjes së projekteve i cili doli të jetë skandaloz. Projektet e mosrealizuara të lumenjve, parregullsitë gjatë proceseve dhe lekët e vjedhurat janë gjendja absurde e përsëritur vazhdimisht në Kosovë.

E për pasojë të kësaj, në disa zona në Kosovë kanë ndodhur vërshime dhe përmbytje të mëdha.

Situata është përkeqësuar tej mase në disa komuna, përfshirë, Skenderajn, Drenasin, Pejën, Klinën, Istogun, Mitrovicën e Podujevën. Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, vërshimet kanë dëmtuar ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturën rrugore.

Po ashtu, vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuoi shumë në përmbytjen e zonave.

Gjithashtu, në disa komuna të Kosovës janë krijuar komisione për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet e ditëve të fundit dhe njëherësh iu është ofruar ndihme, qofte përmes veshmbathjeve, ujit të pijes apo gjërave te tjera elementare.

Varësisht prej dëmeve të mëdha, për fat të mire nuk ka pas dëme në njerëz. Madje, zyrtarë të këtyre komunave (të prekura nga vërshimet) kanë thënë se sot (e premte) situata është qetësuar paksa.

Niveli i ujit në lumenj ka rënie, rrezik për momentin nuk ka dhe sipas Policisë së Kosovës, të gjitha rrugët magjistrale dhe autostradat janë të kalueshme.

Gjithashtu, edhe nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ka thënë se zyrtarët e saj janë duke bashkëpunuar me drejtoritë komunale për situatën në terren dhe bashkërisht po e menaxhojnë situatën.

Nura: Familjet kanë nevojën për mbështetjen tonë

Një kompani private ka ofruar ndihmë për familjet që janë prekur nga vërshimet që kapluan komunën e Skenderajt këto dy ditë.

Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura ka shpërndarë disa fotografi nga ky organizim, duke thënë se familjet e prekura kanë nevojë për ndihmë.

Ai madje ka kërkuar që të gjithë t’u dalin në ndihmë këtyre familjeve.

“Ja edhe një punë ekipore që është për t’u admiruar, duke u dal në ndihmë familjeve të prekura, fillimisht gatishmëria e kompanive private që të ndihmojnë, pastaj kjo e shpërndarjes së ushqimit, ujit dhe gjërave tjera të domosdoshme, në mënyrë që të mos vuajnë nga mungesa e gjërave që ne të tjerët mund t’i kemi më bollëk. Familjet kanë nevojën për mbështetjen tonë! Është urgjencë që t’u dalim në ndihmë!”, ka shkruar Nura.

Mitrovica e Skenderaj furnizohen me ujë të pijshëm

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se pas vërshimeve që kanë kapluar disa komuna të Kosovës, janë angazhuar për t’i siguruar rrugët kryesore dhe alternative të qarkullueshme.

MPB ka njoftuar se në komunën e Skenderajt dhe në Mitrovicë janë dërguar dy cisterna për ujë të pijes. Ndërsa në Komunën e Klinës, në disa lokacione ka filluar intervenimi me pompa për largimin e ujit dhe varësisht nga kërkesat, MPB njofton do të vazhdojë edhe në zonat tjera të kësaj komune.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme jemi në dispozicion të plotë për veprim në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Ju apelojmë për kujdes të shtuar dhe në rast nevoje komunikim me institucionet relevante përmes numrave emergjent: 112, 192, 193 dhe 194”, thuhet në njoftimin e MPB.

Policia është duke i vazhduar aktivitetet e saj në zonat e përfshira nga vërshimet

Pas reshjeve të shiut dhe vërshimeve gjatë ditës së djeshme dhe në mbrëmje, kryesisht në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit, sot ka filluar të bije niveli i ujit, kurse aktivitete policore në ato rajone vazhdojnë të jenë aktive.

Kështu kanë bërë të ditur në një njoftim për media policia e Kosovës.

Nga raportime e njësive policore nga tereni, raportohet se në rajonin e Drejtorisë Rajonale Policore (DRP) Mitrovicë Jugu, kryesisht në Skenderaj dhe Mitrovicë Jug, niveli i ujit ka rënë, në disa ndërtesa në katet përdhese ka ende uji, në disa vende ka sasi uji i cili nuk është tërhequr krejtësisht. Njësitet policore janë në teren dhe po ballafaqohen me detyra përfshirë ndihmën për qytetarët dhe sigurinë në trafik. Aktivitetet po koordinohen me institucionet komunale dhe ato qendrore. Në rajonin e DRP Mitrovicë Veri niveli i ujit ka rënë, ka pasur intervenime nga kompani në pastrimin për heqjen e dheut e gurëve nga rrugët dhe rrugët janë të qarkullueshme, nuk ka pasur dëme në njerëz. Në Istog, në katër fshatra të kësaj komune, ku ka pasur vërshime dje, sot niveli i ujit ka rënë. Po ashtu në disa fshatra të Podujevës ka pasur vërshime dje, sot niveli i ujit ka rënë edhe pse ende jo tërësisht”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia apelon që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të kenë kujdes gjatë ngasjes së veturave dhe po ashtu apelon që për çdo rast të kërkesave për ndihmë, qytetarët të thërrasin në numrat përkatës.

Tetë komuna nuk kanë mbajtur mësim për shkak të vërshimeve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se zyrtarët e MASHTI-it sot kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve të shiut.

Nagavci përmes një postimi në Facebook, tha se si Ministri janë duke e përcjellur me kujdes situatën dhe se me kohë do të informojnë për ditën e hënë.

“Për shkak të reshjeve të mëdha në vendin tonë, të cilat kanë sjellë vërshime në disa komuna, është pamundësuar mbajtja e procesit mësimor në disa shkolla. Zyrtarët e MAShTI, të premten, kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve, si dhe dëmet e shkaktuara në objekte shkollore. Si Ministri jemi duke e përcjellë me kujdes të veçantë situatën dhe në kontakt të vazhdueshën me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente si dhe drejtorët e DKA-ve ndërsa do të ju informojmë me kohë për ditën e hënë si dhe me drejtorët e DKA-së, për t’u informuar në detaje për çdo zhvillim në komunën e tyre”, ka shkruar ajo.

Po ashtu, Nagavci ka treguar se në cilat komuna nuk është mbajtur mësimi.

“Bazuar në të dhënat e MASHTI, komunat të cilat nuk kanë mbajtur mësim sot dhe kanë pësuar dëme për arsye të reshjeve të shiut janë: 1. Podujevë: Mësimi nuk është zhvilluar në fshatin Pakashticë dhe në fshatin Peran; 2. Viti: Në katër fshatra të Vitisë ka dëme të çative në shkolla, mirëpo mësimi është duke u mbajtur; 3. Mitrovicë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat; 4. Skenderaj: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat; 5. Pejë: Mësimi nuk është mbajtur në fshatin Kliqinë, ndërsa në fshatrat tjera deri më tash nuk ka probleme; 6. Istog: Mësimi nuk është mbajtur në shkollën “Avni Rrustemi”, kurse dëme të mëdha ka edhe në shkollat tjera, por mësimi është zhvilluar; 7. Klinë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë të kësaj komune, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat; 8. Zubin Potok: Mësimi nuk është duke u mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, komunat që nuk kanë raportuar dëme dhe mësimi është mbajtur në të gjitha shkollat janë në “Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Ferizaj, Shtime, Lipjan, Hani i Elezit, Kaçanik, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Gjilan, Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Deçan, Prizren, Suharekë, Junik, Dragash, Mamushë, Leposaviq, Zveça”.

Krasniqi: Qeveria të ndaj fonde për kompensim ndaj dëmeve nga vërshimet

Si pasojë e reshjeve të shiut në ditët e fundit, në komunën e Skenderajt janë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, biznese e automjete.

Për të parë nga afër dëmet nga vërshimet e ditës së djeshme, ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili kërkoi nga Qeveria kompensim për përmbytjet e djeshme.

“Fatmirësisht kemi shpëtuar pa humbje të jetëve të njerëzve dhe vlerësoj angazhimin e komunës gjatë këtyre 24 orëve. E ftoj qeverinë qendrore që mos të ndalet me angazhimin që e ka filluar dje, por të shtojë ekipet për menaxhimin e krizave dhe që menjëherë të ndaj fonde të mjaftueshme për të bërë kompensimin e dëmeve që sipas vlerësimeve preliminare janë milionëshe, si në infrastrukturë publike, dhe në familjet e shumta që janë në Llaushë dhe në fshatra të tjera. Është një gjendje që kërkon një kujdes më të madh”, theksoi Krasniqi.

Ndërsa kryetari i Komunes së Skenderajt, Fadil Nura ka deklaruar se në bazë të vlerësimeve të para, dëmet tejkalojnë vlerën miliona euro.

Lidhur me këtë, Nura ka shtuar se janë formuar edhe komisionet përketëse për vlerësimin e dëmeve dhe shpejt komuna do të dalë me një raport përfundimtar.

Ka dëme jashtëzakonisht të mëdha, nëntë komisione i kemi në terren për të dhënë një raport përfundimtar, por dëmet tejkalojnë miliona euro. Shpresoj që autoritet qendrore do ta kenë parasysh, sepse e kanë edhe obligim ligjor.

Sot nuk ka brez të gjallë që e mban mend që ka pasur një nivel të tillë të vërshimeve, ne kemi intervenuar, sepse vërshime ka pasur edhe para një muaj dite. Por reshjet për 24 orë kanë ndikuar që të ketë vërshime të shpejta. Kjo nuk ka pas të bëj as me kanalizime dhe as me shtrat të lumit”, theksoi Nura.

Elezaj: Vërshimet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka njoftuar se vendi është goditur shumë nga vërshimet, si pasojë e reshjeve të shiut.

Ai ka thënë se dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme dhe se kërkon ndihmë nga Qeveria.

“Sot, që nga mëngjesi, bashkë me bashkëpunëtorë të komunës, kam vizituar shumë vende për të parë nga afër gjendjen e krijuar nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shumta. Në disa pjesë të qytetit dhe në shumë fshatra gjendja është e rëndë dhe ka dëmtime në infrastrukturë rrugore dhe në shtëpi apo biznese private. Pra, dëmi është i konsiderueshëm.

Ne menjëherë do të formojmë komisionin për vlerësim të dëmeve dhe brenda mundësive buxhetore do ti ndihmojmë qytetarët e dëmtuar. Gjithsesi do të kërkojmë ndihmë edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që ta ndajë një fond të veçantë që ti ndihmohet familjeve të dëmtuara, sepse buxheti komunal është i kufizuar”, ka njoftuar Elezaj.

Instituti Hidrometeorologjik tregon se deri kur do të vazhdojnë reshjet e shiut

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut, të cilat kanë shkaktuar edhe vërshime e përmbytje, pritet të vazhdojnë deri më 25 janar.

Sipas tyre, situata më e rëndë nga vërshimet është në pjesën perendimore, veriperendimore dhe veriore të vendit, derisa ka paralajëmruar se mund të ketë probleme dhe vështirësi edhe në pjesë tjera.

“Situata e përgjithshe hidrometeorologjike në pjesën më të madhe të vendit, ditëve të fundit është përkeqësuar, si pasojë e rreshjeve intenzive të shiut, sidomos në disa pjesë të vendit. Reshjet e shiut me intenzitet të ndryshur, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, (deri me:25/01/2023), të cilat, duke u bazar në situaten e vështërsuar hidrologjike, ku lumenjt kanë dalur prej shtetërve të tyre, duke shkaktuar përmbytje.

Aktualisht situata më e rënduar është në pjesën perendimore, veriperendimore, dhe veriore të vendit, por duke pasur parasyshë reshjet të cilat janë duke vazhduar aktualisht dhe ditët në vijim, mund të shkaktojnë probleme dhe vështërsi edhe në pjesët tjera të vendit”, thuhet në njoftim.

Kryeministri viziton Istogun pas vërshimeve: Qëndrojmë pranë banorëve

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë vizituar Istogun për t’i parë nga afër vërshimet.

Ai ka bërë të ditur se Qeveria Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.

Kurti ka treguar edhe arsyet se pse reshjet e shiut shkaktojnë përmbytjen e vendbanimeve në këto pjesë të Kosovës.

Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet”, ka shkruar Kurti.

FSK-ja publikon pamjet nga operacionet në zonat e vërshimeve

Forca e Sigurisë së Kosovës me ekipet e saj të Kërkim Shpëtimit në ujëra, pas situatës së rënduar të përmbytjeve në vendin tonë, ka ngritur gatishmërinë operacionale.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se FSK-ja ka marrë pjesë në operacionet e shpëtimit të jetëve të qytetarëve në zonat e prekura Skenderaj, Istog, Klinë dhe Mitrovicë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është përgatitur dhe gatshme që të mbështes autoritetet civile në përballje me situatën e krijuar nga vërshimet e ditëve të fundit” thuhet në njoftimin e tyre.

Reagon Krasniqi pas vërshimeve: I bëj thirrje qeverisë që të ndërmerr veprimet e nevojshme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vërshimeve që kanë ndodhur në disa komuna të Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se gjatë ditës ka biseduar me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura, dhe me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, dy komuna që gjatë ditës janë përfshirë nga vërshimet.
Gjithashtu, Krasniqi ka shprehur solidarizimin e plotë me dy kryetarët dhe me qytetarët e këtyre dy komunave.

“Reshjet atmosferike kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të tjera në shumë qytete të Kosovës, posaçërisht në Mitrovicë dhe Skenderaj, duke i ballafaquar qytetarët me mungesa të ujit të pijshëm, bllokim të rrugëve dhe dëme të konsiderueshme materiale. Gjatë ditës së sotme kam komunikuar me kryetarët e Mitrovicës dhe Skenderajt, Bedri Hamza dhe Fadil Nura, ku u kam shprehur solidarizimin e plotë me ta dhe qytetarët e këtyre dy komunave në këto momente të vështira për ta”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmerr veprime të shpejta dhe të krijoj ekipet e nevojshme për menaxhim.
“Duke qenë se parashikimet për motin paralajmërojnë një javë me reshje të vazhdueshme, i bëjë thirrje qeverisë të ndërmerr veprime të shpejta dhe të krijojë ekipet e nevojshme për menaxhim të mirë të situatës, me qëllim të minimizimit të dëmeve. Rastet si në vitin e kaluar, ku ekonomitë familjare dhe bizneset kanë pësuar nga vërshimet dhe keqmenaxhimi i situatës, është e papranueshme të përsëriten. Në raste të tilla të krizave emergjente, qytetarët duhet ta kenë ndihmën dhe mbrojtjen e shpejtë dhe të vazhdueshme të shtetit, krahas veprimeve konkrete për kompensimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara”, ka përfunduar Krasniqi.
Tetë fshatra të Skenderajt vërshohen nga uji

Sipas raportimeve nga terreni, shumë dëme ka shkaktuar dalja nga shtrati të lumit “Klina” në Skenderaj. Shumë familje janë bllokuar në banesat kolektive.

Ekipet e komunës kanë dalë në terren. Amir Lushtaku, shef i Zyrës për Informim ë komunën e Skenderajt, deklaroi se situata pas vërshimeve në këtë komunë, është e rënduar, pasi reshjet e filluara nga dita e djeshme, nuk kanë pushuar për rreth 30 orë.

Tutje, ai tha se në disa fshatra situata është shumë e rënduar. Lushtaku deklaroi se kryetari i komunës, Fadil Nura, përveç që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ka krijuar edhe Shtabin Emergjent.

Lushtaku u shpreh se që nga fshati Klinë e Epërme, pastaj Klinë e Mesme e Klinë e Poshtme, pastaj në qytet, si dhe në Llaushë, Tushilë, Kopiliq, Kllodernicë e deri në Açarevë, lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

“Shpresojmë të mos ketë viktima”, tha Lushtaku. Ai deklaroi se gjatë tërë ditës, janë bërë evakuime të familjeve të ndryshme.
“Situata është nën kontroll dhe familjet do të evakuohen dhe besoj se do ta menaxhojmë mirë këtë fatkeqësi natyrore”, ka thënë mes tjerash ai.
Policia e Kosovës shton patrullimet në zonat e vërshimeve

Gjatë ditës së sotme vendin tonë e ka përfshirë një mot me reshje të vazhdueshme të shiut. Si pasojë e të reshurave që kanë vazhduar, ka pasur vërshime në disa pjesë të vendit, shembje dheu e gurësh në rrugë dhe shtëpi të përfshira nga uji.

Policia e Kosovës përmes një reagimi, ka njoftuar se në ato zona ku ka potencial për vërshime, ka shtuar patrullimet dhe verifikuar situatën, duke u angazhuar së bashku me AME-në, Zjarrfikësit e Njësitet Emergjente komunale etj., si dhe janë duke koordinuar veprimet për reagime në ato zona ku ka nevojë.

Njësitet policore, pos koordinimit me institucionet relevante po angazhohen edhe në shtimin e masave të sigurisë në trafik dhe riorientim të qarkullimit në ato rrugë që janë bllokuar ose kanë vështirësi në qarkullim.

Në pjesën veriore të vendit, disa nga pjesët ku ka vërshime më shumë nga uji janë: Lagja e Boshnjakëve ku uji ka depërtuar në disa shtëpi, magjistralja Mitrovicë-Bërnjak ka shembje të dheut, po ashtu rruga në fshatin Zubq, hyrja për në fshatin Varage ka shembje dheu, ndërsa rruga Qaber- Zubin Potok mbetet e bllokuar për shkak të shembjeve të gurëve dhe dheut.

“Në rrugët ku ka rrëshqitje dheu janë angazhuar edhe kompani për pastrimin dhe largimin e pengesave nga rruga. Si pasojë e të reshurave ka pasur nivel të shtuar të ujit edhe në rajone tjera, si në dy rrugë të Gjakovës, në Ujëmir të Klinës, në rajonin e Podujevës, në Istog dhe në rajonin e Mitrovicës Jugu, Skenderaj, etj.

Policia mbetet e përkushtuar që tu dalë në ndihmë qytetarëve pa dallim dhe njëkohësisht fton qytetarët që të jenë vigjilent dhe të lajmërojnë të gjitha rastet ku ka situata emergjente nga vërshimet si dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Qeveria reagon pas vërshimeve: Kemi ngritur nivelin e gatishmërisë

Pas reshjeve të mëdha që po vazhdojnë dhe vërshimeve në shumë pjesë të vendit, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar. Megjithatë, siç njofton, deri tani vetëm po monitoron përkundër situatës tashmë të rëndë.

“Sipas informacioneve nga tereni janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale, si dhe autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete.

Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë tërë kohës po punojnë dhe po intervenojnë për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Tutje, bëhet thirrje që meqenëse, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës, ka parashikuar përkeqësim të motit edhe gjatë ditës së nesërme, të gjithë qytetarët në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjithashtu qeveria bën të ditur se qytetarët mund të thërrasin edhe në këta numra:

Njësinë më të afërt Profesionale te Zjarrfikës dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,

Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,

Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194.

120 familje evakuohen nga Lagja e Boshnjakëve
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Aleksandar Spiriq, ka folur sot para filialit të parashkollorit “Danica Jaramaz”, në lagjen e Boshnjakëve.
Pasi paraprakisht u bëri thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në ndërtimin e argjinaturës pranë urës lindore, ai theksoi se situata emergjente si kjo kërkojnë solidaritet dhe unitet, për të ndihmuar njëri-tjetrin.
Tutje, ai saktësoi se objektet që janë përmbytur në lagjen e Boshnjakëve janë objekte komunale, si dhe objektet e ndërtuara nga rrethi Kosovë-Mitrovicë.

Duke iu drejtuar mediave sot, ai bëri të ditur se janë evakuuar afro 50 familje nga gjithsej shtatë objekte banimi pranë urës lindore. Nga ana tjetër, sipas fjalëve të tij, dy të tjerë do të evakuohen afër kopshtit në lagjen e Boshnjakëve.
Në një njoftim të mëvonshëm, mbrëmjen e sotme, ai saktësoi se numri i përgjithshëm i familjeve që janë evakuuar në këtë vendbanim është 120, nga gjithsej 11 objekte.
Më shumë se 30 persona, shtoi ai, janë akomoduar përkohësisht në Konviktin Studentor në Mitrovicë.

Niveli i ujit të lumit “Ibër” ka shënuar një rritje të lehtë në gjysmë ore të kaluar – për rreth 5 cm”, thuhet në njoftim.
Pas reshjeve të shiut, ministri Aliu merr masa për pastrimin e rrugëve
Liburn Aliu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka bërë të ditur se ministria që ai drejton është duke e parë nga afër gjendjen e krijuar, me ç’rast, sipas tij, janë duke u marrë masa për pastrimin e të gjitha rrugëve.
Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë pas reshjeve të pa ndërprera të shiut dhe vërshimeve eventuale, zyrtarë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë dalur në terren për të parë nga afër gjendjen e krijuar, me ç’rast janë duke u marrë masa për pastrimin e të gjitha rrugëve.
“Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga MMPHI-ja, janë në terren për pastrimin e akseve, normalizimin e qarkullimit rrugor dhe garantimin e sigurisë për drejtuesit e automjeteve që nga orët e hershme të mëngjesit, ka thënë Aliu.

Tutje, sipas tij, “u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara që të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore për ndihmë të nevojshme”.
“Ministria është duke bërë Hartat e Rrezikshmërisë nga Përmbytjet dhe hartimin e Planeve për Menaxhimin e Rrezikut nga Përmbytjet dhe Thatësirat, në mënyrë që në situata të tilla të jemi shumë më të përgatitur, dhe të përmirësojmë kapacitetet parandaluese dhe reaguese për situata të ngjashme”, ka shkruar në fund Aliu.
Reshjet e shiut, KEDS: Po sanojmë dëmet e shkaktuara në rrjet

Kushtet atmosferike të rënduara në rajonin e Pejës, Mitrovicës, Skenderajt dhe të Vushtrrisë, kanë shkaktuar dëme në infrastrukturën e rrjetit elektroenergjetik.

KEDS ka njoftuar se ekipet e tyre ndodhen në terren për të sanuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e pandalura të shiut.

“Ekipet e KEDS-it të këtyre Distrikteve ndodhen në terren dhe në Pejë, Mitrovicë e Skenderaj janë detyruar të bëjnë shkyçjen e  disa daljeve nga furnizimi, meqë disa shtëpi janë përfshirë nga vërshimet.

Kjo ndodh për shkak të sigurisë së vetë banorëve dhe të punëtorëve të KEDS-it, të cilët deri më tash në disa zona kanë arritur të riparojnë dëmet e shkaktuara dhe po punojnë vazhdimisht në eliminimin e tërësishëm të tyre”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Tutje, bëhet e ditur se po punohet që të kthehet normaliteti dhe kërkohet mirëkuptimi nga konsumatorët.

“KEDS-i është i përkushtuar që të sanojë sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet nga vërshimet dhe ta kthejë gjendjen me furnizim në normalitet, për çka kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve tanë atje”, përfundon njoftimi i KEDS-it.

Vërshime edhe në Klinë, kryetari Elezaj apelon për kujdes
Vërshimet e kanë përfshi edhe Komunën e Klinës ku gjendja në shumë fshatra dhe lokalitete është rënduar shumë.
Zenun Elezaj, kryetari i kësaj komune, ka dalë në terren për të parë nga afër gjendjen që është shkaktuar pas reshjeve të mëdha të shiut në vend. Ai ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes sidomos në komunikacion.
“Si rrjedhojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut gjendja në shumë fshatra dhe lokalitete është rënduar. Bashkë me nënkryetaren Marqe Selmanaj, drejtorin e DSHPE-së, Qendrim Millaku dhe atë të Inspektoratit Faruk Smajli kam vizituar disa fshatra për të parë nga afër gjendjen e krijuar. Në kuadër të kapaciteteve që kemi po angazhohemi për lehtësimin e situatës. Po ashtu, Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Policia e Kosovës vazhdimisht po i përgjigjet kërkesave të qytetarëve. Apeloj qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në komunikacion, sepse ka vështirësi në disa rrugë”, ka thënë Elezaj.
Përmbytjet e mëdha, Instituti del me njoftim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut që po mbizotërojnë në vendin tonë kanë shkaktuar vërshime e përmbytje të mëdha.

Si pasojë e reshjeve të shiut të cilat janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të vendit, (pjesa perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe qendrore e Kosovës), disa lumenj kanë dalur prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje. Zonat më të prekura, janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Yubin Potok, Leposaviç etj.”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës

Po sipas këtij Instituti, situata e tillë e krijuar ka shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.

Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim.

Vërshimet në Podujevë, Bulliqi jep detaje

Nga reshjet dhe vërshimet që kanë kapluar vendin tonë kanë pësuar edhe qytetarët e Komunës së Podujevës

Kryetari i kësaj komune, Shpëjtim Bulliqi ka deklaruar se në disa zona të Komunës së Podujevës po përballen më vërshime.

“Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë bërë që disa zona në Komunën e Podujevës të përballen me vërshime. Si institucione lokale që nga mëngjesi jemi në teren duke intervenuar në zonat më të prekuara, ku momentalisht kemi 4 ekipe të të cilat janë duke intervenuar në këto zona”, ka thënë Bulliqi.

Po ashtu Bulliqi ka bërë të ditura edhe zonat më të prekura nga vërshimet

“Zonat më të prekuara janë; Pakashticë, Kërpimeh, Letanc, Peran dhe Obrançë, po ashtu edhe disa rrugë janë përshkuar nga uji duke vështirësuar qarkullimin në komunikacion. Situata është e menaxhueshme, por me tendencë të përkeqësimit për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut”.

Apeloj tek të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me ekipet emergjente institucionale, në mënyrë që përmes koordinimit të përbashkët të tejkalohet sa më shpejtë kjo situate, ka shtuar më tutje Bulliqi.

Përmbytet Vitomirica pas reshjeve të shumta të shiut

Fshati Vitomericë është përballur më vërshime pas reshjeve të pandërpreta të shiut që ka kapluar vendin tonë.

Në një video të siguruar nga Shqip.com, shihet se si vetura qarkullojnë me vështirësi pas rreshjeve të mëdha të shiut dhe përmbytjeve.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime e përmbytje edhe gjatë ditëve të ardhshme.

Kjo si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës.

Hamza monitoron situatën në terren pas reshjeve të mëdha të shiut

Kryetari i komunës së Mitrovicës z. Bedri Hamza së bashku me nënkryetarin e komunës, z. Arian Tahiri si dhe drejtorët komunal kanë përcjellë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e shiut.

Hamza ka bërë të ditur se për momentin gjendja është e menaxhueshme,  ndërkohë që komuna ka mobilizuar të gjithë operatorët dhe ka ngritur kapacitetet e saj në tejkalimin e kësaj situate.

“Brenda kapaciteteve tona jemi duke i marrë të gjitha masat e nevojshme, ku kemi mobilizuar të gjithë operatorët e nevojshëm dhe së bashku me ta jemi në terren. Reshjet e dendura kanë bërë që niveli i ujit në lumenjtë e qytetit të Mitrovicës të rritet dhe kjo ka shkaktuar një situatë serioze prandaj jemi duke e vëzhguar situatën nga afër”, është shprehur kryetari Hamza.

Më tutje, kryetari Hamza ka apeluar tek qytetarët për kujdes të shtuar për shkak të reshurave të shiut që kanë përfshirë komunën e Mitrovicës.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime e përmbytje edhe gjatë ditëve të ardhshme.

Kjo si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës.

Shumë shtëpi bllokohen nga vërshimet në Kuçicë të Skenderajt, bëhet thirrje për evakuim

Tetë shtëpi vetëm në lagjen ‘Smajli’ të fshatit Kuçicë të Komunës së Skenderajt janë bllokuar për shkak të rritjes së nivelit të ujit nga vërshimet.

Banori i kësaj lagjeje, Granit Smajli tha për Shqip.com se shtëpi të bllokuara ka edhe në lagjet tjera të këtij fshati, banorët e të cilit kanë kërkuar edhe ndihmë nga organet kompetente.

“Tetë shtëpi janë të bllokuara nga reshjet e shiut vetëm në lagjen Smajli. Ka shtëpi të bllokuara edhe në lagjet e tjera. Banoret kanë kërkuar ndihmë edhe nga policia dhe organet kompetente, por nuk iu është ofruar.”, tha Smajli.

Smajli thotë se banorët kanë bërë thirrje edhe për evakuimin e tyre për shkak të gjendjes së rënduar.

“Policia ka ardhur, por nuk kanë dal as nga vetura. Nga banorët është bërë thirrje edhe për evakuimin e tyre se gjendja është e keqe”.

Tutje, Smajli thotë se banorët kanë mbetur edhe pa energji elektrike.

Në pamjet e dërguara në redaksinë e Shqip.com, shihet rritje e konsiderueshme e nivelit të ujit për shkak të vërshimeve në këtë fshat.

Vërshimet në Skenderaj, Nura shpallë gjendje të jashtëzakonshme

Si pasojë e reshjeve dhe vërshimeve në Komunën e Skenderajt, kryetari i kësaj komune, Fadil Nura ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

“Si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë”, ka thënë Nura.

Po ashtu është bërë e ditur se Shtabi Emergjent tashmë gjendet në teren.

“Që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontrolle, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut”, ka thënë Nura.

Në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara, ka shtuar më tutje Nura.

Reshje të mëdha shiu, disa zona me reduktime për ujë të pijes

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut është rritur turbullira e ujit në kanalin e Iber-Lepencit.

Kjo është bërë e ditur nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” përmes një njoftimi për media, ku thuhet se në disa zona do të ketë reduktime të ujit të pijes.

“Të nderuar konsumatorë ju njoftojmë se si shkak i reshjeve të dendura atmosferike  në afërsi dhe rreth liqenit të Ujmanit kemi ngritje të turbullirës së ujit në kanalin e Ibrit Lepencit.
Impianti i Trajtimit të ujit në Shkabaj dhe Drenas, nuk kanë mundësi teknike të trajtojnë ujin për pije.
Si pasojë e kësaj, Fushë Kosova së bashku me Zonën Industriale, lagjja Kalabria, Obiliqi do të ketë  redukime të ujit duke filluar sot nga ora 10: 00 dhe do zgjasë deri në 16:00, pastaj ujë do të keni nga ora 16:00- 20:00, pastaj reduktim nga ora 20:00-04:00 të mëngjesit”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se pozitë më e rënduar qëndron në Komunën e Drenasit ku do të ndërmerren disa veprime për të iu dal  në ndihmë qytetarëve.

“Në pozitë më të rënduar e kemi komunën e Drenasit, por autobotët/ autocisternat do jenë aty për t’i furnizuar qytetarët me ujë. Po ashtu edhe në Fushë Kosovë në kohën e reduktimit do të vendosim autobot për furnizim me ujë deri në tejkalimin e situatës. Fshatrat e Podujevës do të reduktohen gjatë ditës diku rreth 3 orë. Një situatë e tillë vazhdon deri në  përmirësimin e situatës me turbullirë në kanal”.

Nga “Kru Prishtina” thonë se vendimi i radhës do të vijë varësisht prej situatës me reshjet atmosferike.

IHMK paralajmëron për vërshime e përmbytje gjatë ditëve të ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime e përmbytje edhe gjatë ditëve të ardhshme.

Kjo si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës.

“Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të ngritën dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje”, thuhet në njoftimin e IHK-së.

Po ashtu është bërë e ditur se në disa pjesë të vendit veçse kanë filluar vërshimet, të cilat kanë shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.

Raportohet për vërshime, Komuna e Pejës jep detaje për Shqip.com

Për shkak të motit të ligë, është raportuar për vërshime në Komunë e Pejës.

Lidhur me këtë ka folur për Shqip.com edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Gëzim Gashi.

Gashi tha se vetëm qendra e qytetit është më në gjendje kritike për shkak të vërshimeve, për shkak se uji është dal në sipërfaqe, por që nuk përbën rrezik për banorët.

“Për momentin gjendemi në terren dhe këtu uji që vjen prej Bjeshkëve, kanali i cili është në qendër të qytetit është pak më keq. Për dëme të shkaktuara për momentin nuk kemi ndonjë informatë deri më tani. Pjesët tjera të qytetit nuk ka vërshime dhe situata është e menaxhueshme”, tha Gashi.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës pati njoftuar se gjatë ditëve të kësaj jave mund të ketë reshje të mëdha shiu që rrezikojnë edhe përmbytjet.

Po ashtu, IHMK pati parashikuar se zona më në rrezik mund të jetë ajo e Dukagjinit.

Kosova përballet me vërshime, përmbytje në disa zona

Kosova po përballët me mot të keq gjatë ditëve të fundit gjë për të cilën ka paralajmëruar edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Në disa komuna është shpallur gjendje e jashtëzakonshme nga kryetari Fadil Nura.

Përkundër kësaj, banorët e fshatit Kuçicë dhe Klinës së Epërme në Skenderaj për të cilat ka raportuar Shqip.com, janë të bllokuar nga vërshimet.

Në këtë zonë ka edhe shkëputje të sistemit energjetik.