LIVE: Gjykimi në Hagë, ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm

Ka filluar procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ish-krerët e UÇK-së, u deklaruan të pafajshëm, për të gjitha pikat në aktakuzë.

Ish-kreu i Ushtrisë i Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se është plotësisht i pafajshëm.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Ndërkaq, për krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Kuçi po merr pjesë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Ish-zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi po merr pjesë në fillimin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Ish-ministri i Drejtësisë është i angazhuar në ekipin mbrojtës të Kadri Veselit.

Këtë para pak muajsh e kishte konfirmuar Ben Emmerson, avokati kryesor i Veselit.

Kuçi ka kohë që është tërhequr nga jeta politike.

Prokurorja: Krasniqi, njeri me shumë autoritet, jepte urdhra Shtabi i Përgjithshëm

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u përshkrua nga Zyra e Prokurorit të Specilizuar në Hagë si njeri me shumë autoritet, që i jepte urdhra Shtabit të Përgjithshëm.

Prokurorja Clare Lawson tha se gjatë gjykimit do të shihet se si Krasniqi, sipas saj, kishte dhënë shumë urdhra në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Në ndërkohë, Jakup Krasniqi do të shihet duke negociuar dhe duke dhënë urdhra të shumta – sërish në emër të Shtabit të Përgjithshëm – për arrestimin dhe lirimin e të ndaluarve”, tha ajo.

Ajo çfarë nuk do të dëgjoni, është ndonjë nga të akuzuarit duke marrë masat e nevojshme për të parandaluar krimet e ngritura, ose krimet që kanë vuajtur kundërshtarët, ose që të ndëshkojnë krimet që kanë vuajtur ata. Apo edhe mosreferimin e këtyre personave për UNMIK-un apo KFOR-in për hetime… Sepse krimet kanë qenë të synuara nga të akuzuarit”, ka shtuar prokurorja Lawson.

Prokurori: Thaçi e Geci i morën në pyetje të ndaluarit duke i identifikuar si Rugovistë

Është duke vazhduar gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, njëri nga prokurorët e Gjykatës Speciale, James Pace, pretendon se persona të ndryshëm janë ndaluar nga ish-krerët e UÇK-së, për të cilët pretendohej se ishin bashkëpunëtorë të serbëve.

Në një rast, prokurori i Speciales thotë se një i ndaluar pranoi akuzat për t’i shpëtuar torturave të mëtejshme.

Prokurori pohon se Hashim Thaçi e Sabit Geci morën në pyetje të ndaluarit duke i identifikuar si Rugovistë.

Hashim Thaçi dhe Sabit Geci morën në pyetje të ndaluarit duke i identifikuar si Rugovistë, duke i kërkuar që të nënshkruanin deklaratat për të hequr dorë nga Ibrahim Rugova dhe duke kërkuar të heqin dorë nga LDK-ja dhe të jepnin dorëheqje nga të gjitha funksionet parlamentare… Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u keqtrajtuan se ishin spiunë apo simpatizantë të presidentit Rugova dhe të LDK-së. U morën në pyetje për mbështetje të LDK-së dhe për kundërshtimin e UÇK-së”, shprehet prokurori.

Në fillim të fjalimit të tij, ai tha se ka pasur raste kur dy nga të ndalurve u është kërkuar të kryenin marrëdhënie seksuale.

Do të dëgjoni se dy prej të ndaluarve ju tha të kryenin marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin, të ndaluarit rrahën përpara njëri-tjetrit, dhe kur një i ndalur kërkoi të pinte ujë e detyruan të pinte hollues boje”, tha ai.

Në qershor 1998 dy kundërshtarë që ishin arrestuar dhe marrë në pyetje dhe në një rast rrahur rëndë prej anëtarëve të LPK-së. I çuan pastaj në drejtim të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së”, vijon ai.

Është dëshmia e një gruaje e cila e pa të birin pasi e kishin ndaluar, trupi ishte me shenja mavijosje dhe i rrahur. Kufomat e disa prej viktmave të zhdukur me forcë nuk janë gjetur më kurrë, krahas akuzave për burgim e arrestim, akte të tjera çnjerëzore, të akuzuarit akuzohen edhe me përndjekje”.

Dallimet mes viktimave ishin krahas moshës, përkatësisë etnike dhe profesioneve dhe kohëzgjatjes së ndalimeve”, thotë ai.

Të ndaluarit që u mbajtën në qendra ndalimi, gjatë tërë kohës janë marrë në pyetje. Ata që perceptoheshin si kundërshtarë që bashkëpunonin me forcat ushtarake e ish-Jugosllavisë”, tha ai.

Rama: Nuk ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka reaguar pas nisjes së procesit gjyqësor ndaj ish-krerëvë të UÇK-së.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se “I mblodhëm më në fund firmat në Asamblenë e Këshillit të Evropës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, për trafikun e organeve njerëzore”.

Tutje, Rama tha se nuk ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.

“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare”, ka shkruar Rama.

ZPS: Viktimat që u ndaluan u maltretuan fizikisht

Po vazhdon procesi gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Zyra e Prokurorisë Speciale ka prezantuar një sërë provash që i përshin ish-krerët e UÇK-së, në krime lufte.

Sipas ZPS, viktimat u rrahën dhe u maltretuan fizikisht.

“Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht. Këto veprime përbënin veprën penale të përndjekjes për arsye politike ose etnike…Provat tregojnë se krimet u kryen në praktika të ngjashme kohore dhe hapësinore”, tha ZSP-ja.

Tutje, ZSP-ja, përmendi edhe një rast në Jabllanicë ku tha se “u mbajtën 13 persona në përiudha të ndryshme kohore, në një vend ku shfrytëzohej si kazermë”, aty sipas tyre ishin 3 të vrarë dhe 1 i zhdukur më forcë.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, edhe në fshatin Llapushnik të Skenderajt “dy viktimat që arritën të arratiseshin u kapën dhe u pushkatuan me pushkë”.

Abbott: As lufta e UÇK-së dhe as e Kosovës për liri s’janë në gjyq dhe s’duhet të gjykohen

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar në lidhje me procesin gjyqësor që po vazhdon në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇKS-së.

Ai përmes një postimi në Facebook, tha se as lufta e UÇK-së, as e Kosovës për liri s’janë në gjyq dhe s’duhet të gjykohen.

Tutje, ai tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për arritjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

“As lufta e UÇK-së dhe as e Kosovës për liri nuk janë në gjyq dhe as nuk duhet të gjykohen. Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë ndërhyrjes së saj, si pjesë e NATO-s, si një kauzë e drejtë për të parandaluar një fatkeqësi humanitare dhe që të gjithë kosovarët të jetojnë të lirë nga represioni”, ka shkruar ai në Facebook. Bashkuar qëndron pranë ndërhyrjes së saj, si pjesë e NATO-s, si një kauzë e drejtë për të parandaluar një fatkeqësi humanitare dhe që të gjithë kosovarët të jetojnë të lirë nga represioni”, ka shkruar ai në Facebook.

ZPS: Krerët e UÇK-së i shënjestruan pamëshirshëm kundërshtarët

Zyra e Prokurorisë së Gjykatës Speciale, po vazhdon me paraqitjen e provave që i përfshin të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në krime lufte.

Prokuroria tha, se ish-krerët e UÇK-së i shënjestruan pamëshirshëm dhe ashpër kritikët e UÇK-së dhe “bashkëpunëtorët kolaboracionist”.

Sipas ZPS-së, kundërshtarët u vranë dhe u keqtrajtuan mizorisht.

“Kundërshtarë ishin ata persona që ishin të lidhur me institucionet serbe ose ata që nuk i mbështesnin politikat e UÇK-së. Këta quheshin tradhtarë, kolaboracionistë. Në shumë raste keqtrajtoheshin në forma të tmerrshme. Të akuzuarit e keqpërdorën postin për të urdhëruar, nxitur dhe ndihmuar zbatimin e këtij plani gjatë gjithë periudhës së aktakuzës”, ka thënë kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, provat gjenden në komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja, nga intervistat e të akuzuarve dhe nga njoftimet zyrtare.

“Shtabi ndoqi një politikë të shenjestrimit të pamëshirshëm të kundërshtarëve. Komunikata e parë doli në nëntor të vitit 1994. Kjo politikë u përsërit vazhdimisht gjatë viteve 1996, 1997 dhe 1998. Komunikatat shpallnin ekzekutimet e të ashtuquajturve kolaboracionistëve dhe tradhtarëve. Të akuzuarit do të viheshin në shënjestër dhe do të goditeshin pa mëshirë. Kjo politikë u përsërit nëpër komunikata”, thanë ata.

Përfundon protesta para Gjykatës Speciale në Hagë

Ka përfunduar protesta para Gjykatës Speciale në Hagë, ku po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve, janë bashkuar në protestë dhe po kërkojnë drejtësi në këtë gjykim.

Ish-këshilltari i presidentit, Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka deklaruar se të pranishëm janë mbi 6 mijë protestues.

Gjithashtu, edhe ditën e diele, në Prishtinë qytetarët marshuan për drejtësi.

Një numër i madh i qytetarëve nga të gjitha komunat e Kosovës u bashkuan në sheshin kryesor të Prishtinës.

Rohde: S’po gjykohet UÇK-ja, por individë që akuzohen për krime të rënda lufteRohde:

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ai përmes një postimi në Twitter tha se nuk po gjykohet UÇK-ja, por individë që, siç tha ai, po akuzohen për krime të rënda lufte.

“E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo demokraci dhe manifestimi i djeshëm në Prishtinë tregoi një shoqëri civile të lulëzuar në Kosovë. Por dua të ritheksoj: Nuk është UÇK-ja ajo që po gjykohet, por individë që akuzohen për krime të rënda lufte, krime kundër njerëzimit, zhdukje të personave dhe torturë”, shkroi Rohde.

Shumë bashkatdhetarë janë mbledhur në Hagë për të kërkuar drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në Hagë po kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, po vazhdon në Hagë, ndërsa jashtë gjykatës po protestohet për drejtësi.

Një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve, janë bashkuar në protestë dhe po kërkojnë drejtësi në këtë gjykim.

Gjithashtu kujtojmë që të dielën në Prishtinë u mbajt marshi masiv për drejtësi.

Një numër i madh i qytetarëve nga të gjitha komunat e Kosovës u bashkuan në sheshin kryesor të Prishtinës.

Prokurori i specializuar: Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, në seancën gjyqësore që po mbahet për ish-krerët e UÇK-së, tha se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkuar disa herë në Hagë, sipas tyre, fshehurazi.

“Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’u dhënë ZPS-së intervistë të videoinxhizuar. Gjatë këtyre intervistave, ai mohoi shumëçka me rolin e tij në luftë dhe rolin e UÇK-së”, tha ai.

Whiting tha se Thaçi kishte deklaruar se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së nuk kishte funksione deri në nëntor të vitit 1998.

“Ai pretendoi se shtabi i përgjithshëm s’kishte asnjë funksion deri në nëntor të 98-ës, e edhe para kësaj date, ekzistonte vetëm në letër. Ai e mohoi se kishte dijeni për ndalimet”, shtoi ai.

Lame: Dikush dëshiron ta kthejë Serbinë në viktimë e shqiptarët në kriminelë

Ish-gjenerali shqiptar i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame, po merr pjesë në protestën e shqiptarëve në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ai tha se nuk janë të gatshëm të pranojnë padrejtësinë vetëm se dikush dëshiron ta kthejë Serbinë në viktimë e shqiptarët që luftuan për çlirim, në kriminelë.

Lame tha se populli shqiptar sot po lufton për të fituar të drejtën dhe dinjitetin politik dhe juridik në sytë e botës.

“Sot dua të thërras, që të dëgjohemi në të gjitha kontinentet. Nuk mund të durojmë më padrejtësinë vetëm pse të fuqishmin duan të rregullojnë interesat e tyre mbi të drejtat tona. Nuk jam i gatshëm të pranoj padrejtësinë vetëm pse Serbinë dikush ka dëshira ta kthejë në viktimë e shqiptarët që luftuan për t’u çliruar e shpëtuar prej saj, të kthehen në kriminelë”, tha ai.

“A vërtetë mendon Evropa që progresi dhe zhvillimi arrihen duke dëmtuar çlirimtarët? Unë vij këtu si një ushtar nga fusha e betejës sepse konsideroj që sot kombi shqiptar pikërisht këtu e ka vijën e frontit për të fituar të drejtën dhe dinjitetin politik dhe juridik në sytë e botës”, u shpreh tutje Lame.

Prokuroria e Speciales: Ish-krerët e UÇK-së kryen krime lufte për të fituar pushtet

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, tha se ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kryen krime lufte për të fituar pushtet gjatë luftës.

“Provat, do të tregojnë që katër të akuzuarit në rolin e tyre si udhëheqës të lartë në shtabin e përgjithshëm, mbështetën dhe zbatuan një politikë e cila vinte në shënjestër ata persona që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionistë; shpesh mbështetur nga asgjë, përpos lidhjeve me institucionet serbe si dhe personat e perceptuar si jo mbështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të qeverisë së Kosovës. Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit gjatë periudhës së aktakuzës synonte burgosjen, keqtrajtimin dhe torturimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve”, ka thënë ai.

Prokurori tutje ka thënë që aktakuza përfshin me qindra burgosje në mbarë Kosovën dhe në mbi 100 vrasje – ku shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës.

Krasniqi: Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për akuzat

Ish-kreu i UÇK-së, Jakup Krasniqi tha para Gjykatës Speciale në Hagë, që e kupton aktakuzën me ndryshime, por që nuk pajtohet me të.

Krasniqi deklaroi para trupit gjykues se nuk mban përgjegjësi për të cilën flet aktakuza.

“Nuk kam asnjë lidhje me asnjërën nga pikat që i lesoi prokurorja. Aktakuzën e kuptoj kështu siç është por nuk pajtohem me të, pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”, ka thënë Krasniqi.

Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Selimi deklarohet i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës

Ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, ka deklaruar se është i pafajshëm, në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai tha se është i pafajshëm në të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.

“Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, u shpreh Selimi në Hagë,

Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Kadri Veseli deklarohet për akuzat e gjykatës

Ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës Speciale, në Hagë.

Veseli gjithashtu ka shprehur pakënaqësinë e tij për vonesën.

“E shprehi paknaqësinë time për një vonesë të tillë dyvjeçare e gjysmë, megjithatë iu falënderoj, tërësisht i pafajshëm”, është shprehur Veseli.

Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Hashim Thaçi: Jam plotësisht i pafajshëm

Ka filluar procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ish-kreu i Ushtrisë i Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se është plotësisht i pafajshëm.

“E kuptoj aktakuzën e ndryshuar dhe jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.

Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.