Dita e 104 e Luftës: Dëshmitarët thonë se trupat ruse vranë kryebashkiakun ukrainas dhe dy vullnetarë

Ndërsa forcat ruse u  mbyllën në Hostomel  në fund të shkurtit, kryebashkiaku i qytetit Yurii Prylypko u kërkoi banorëve vendas të kujdeseshin për njëri-tjetrin raporton CNN.

“Unë jam këtu me ju. Ne duhet të rezistojmë,” tha ai në një video-mesazh. “Armët po vijnë. Ushtarët tanë po vijnë. Ne do ta kalojmë këtë. Ne vetëm duhet të ruajmë qetësinë dhe të mbrojmë njerëzit rreth nesh. Faleminderit!”

Ditë më vonë, Prylypko vdiq. Ai dhe një civil tjetër, Ivan Zorya, u vranë nga ushtarët rusë, thonë dëshmitarët okularë, teksa ata u përpoqën të shpërndanin ilaçe dhe furnizime të tjera për njerëzit në komunitet. Një tjetër civil, Oleksandr Karpenko, u vra gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar ata.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar civilët gjatë pushtimit të saj në Ukrainë.

Por fotot e skenës të marra pas saj dhe imazhet e kapura nga kamerat e sigurisë në ditën e sulmit e bëjnë të qartë se kryebashkiaku po udhëtonte me një makinë civile kur trupat ruse hapën zjarr. Në atë moment, sipas dëshmitarëve okularë, aty pranë nuk kishte makina apo automjete të tjera ushtarake.

CNN ka kërkuar një koment zyrtar nga Ministria ruse e Mbrojtjes për vrasjet në Hostomel, por nuk ka marrë përgjigje./Shqip.com

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë: Hapet rruga për të lejuar “trafikun e plotë” midis Rusisë, rajonit të Donbasit dhe Krimesë
Pamje nga Ukraina

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, ka thënë se është hapur një korridor tokësor për Krimenë e pushtuar nga Rusia, duke lejuar civilët dhe mallrat të kalonin nëpër territorin lindor të Ukrainës.

Ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, në një konferencë tha se ushtria është duke punuar me hekurudhat, si dhe tashmë kishte restauruar 1,200 kilometra shina treni.

Siç raporton CNN, ai ka thënë se do hapët rruga për të lejuar “trafikun e plotë” midis Rusisë, rajonit të Donbasit të Ukrainës lindore dhe Krimesë.

Furnizimi me ujë nëpërmjet kanalit të Krimesë veriore, një linjë shpëtimi për Krimenë, ka rinisur gjithashtu, tha Shoigu.

Sipas tij, ky korridor tokësor lejoi Rusinë të fillonte dërgimin e mallrave në Mariupol, Berdiansk dhe Kherson, qytetet-port të Ukrainës juglindore që janë pushtuar nga Rusia.

Tutje, tha se portet Mariupol dhe Berdiansk po funksiononin normalisht dhe ishin gati të transportonin grurë, pas bllokimit prej muajsh të portave kyçe që kishte bërë Rusia.

Rusia mohon pretendimet për dhunë seksuale në Ukrainë

Gjatë ditës së djeshme pat një mbledhje e zjarrtë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ambasadori rus u largua nga seanca, pasi vendi i tij u fajësua nga BE për një krizë globale ushqimore me pushtimin e saj, raporton BBC.

Por furnizimet globale të ushqimit nuk ishin pika e vetme në rendin e ditës në Nju Jork.

Vassily Nebenzia kishte mohuar më herët pretendimet për dhunë seksuale nga forcat ruse në Ukrainë – duke pretenduar se nuk kishte “asnjë provë” për këtë.

Por akuza të tilla po “rriten”, tha zyrtarja e lartë e OKB-së, Pramila Patten.

Që nga 3 qershori, OKB-ja kishte marrë raporte për 124 pretendime për dhunë seksuale të lidhura me konfliktin në të gjithë Ukrainën.

Përndryshe, lufta në Ukrainë është në ditën e 104-të të saj, që prej se filloi më 24 shkurt të këtij viti. /Shqip.com

Rusia sanksionon 61 amerikanë të tjerë përfshirë Sekretaren e Thesarit Janet Yellen

Rusia ka vendosur 61 zyrtarë të tjerë amerikanë dhe drejtues kryesorë të mbrojtjes dhe mediave në “listën e ndalimit”, duke i ndaluar ata të hyjnë në vend, tha të hënën Ministria e Jashtme ruse raporton CNN.

Lista përfshin krerët e firmave kryesore të mbrojtjes, platformave mediatike, agjencive të vlerësimit dhe kompanive të ndërtimit të avionëve dhe anijeve, si dhe zyrtarë individualë të Departamentit të Shtetit të SHBA.

Ministria tha se sanksionet ishin në përgjigje të “sanksioneve gjithnjë në zgjerim të SHBA-së kundër figurave politike dhe publike ruse, si dhe përfaqësuesve të bizneseve vendase”.

Zyrtarët e SHBA në listë përfshijnë Sekretaren e Thesarit Janet Yellen, Përfaqësuesen e Tregtisë Katherine Tai dhe kreun e Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve James O’Brien.

Në maj, Rusia ndaloi gjithsej 963 zyrtarë dhe figura amerikane të hynin në vend, duke përfshirë Presidentin Joe Biden dhe Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.

Kjo listë përfshinte shumicën e senatorëve amerikanë dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të qeverisë, gazetarë, personel ushtarak, avokatë, qytetarë dhe CEO./Shqip.com