Lajme

Zyra e Auditorit: Komuna e Mitrovicës Veriore vazhdon të mos paguaj Tatimin në Pronë

Mitrovica e Veriut

Komuna e Mitrovicës Veriore edhe gjatë vitit 2021 ka vazhduar duke mos e paguar Tatimin mbi Pronë.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm kanë gjetur disa shkelje të ligjit, ku sipas tyre komuna për vitin 2021 nuk kishte filluar për grumbullimin e të hyrave.

“Komuna nuk ka planifikuar të hyrat nga Tatimi në Pronë në buxhetin e vitit 2021 sepse ende nuk kanë arritur të formojnë një shërbim të Tatimit në Pronë (nuk kanë menaxher të tatimit në pronë, as zyrtarë të anketimit, apo zyrtarë të trajnuar për përdorimin e sistemit të protaxit). Gjithashtu, nuk kanë bërë identifikimin e pronës në mënyrë që më pas të bëjnë regjistër të pronës”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit.

Sipas tyre procesi i inventarizimit të pronave filloj në vitin 2014, me mbështetjen e Agjencisë Katastrale të Kosovës, komuna ende nuk ka përfunduar atë.

“Kjo ka ndodhur për shkak se komuna ende nuk ka krijuar një politikë për zbatimin e ligjit dhe nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për mbledhjen e të hyrave nga këto aktivitete që kanë një ndikim të rëndësishëm në nivelin e buxhetit komunal. Për më tepër, nga aspekti i auditimit, çështja dhe rekomandimi është përsëritur ndër vite, megjithatë nga komuna nuk ka shenja për ndërmarrjen e masave konkrete”, bëhet e ditur në raportin e Zyrës së Auditorit.

Nga Zyra e Auditorit kanë treguar se mos zbatimi i Ligjit për mbledhjen e tatimit në pronë, ka ndikim të rëndësishëm dhe prioritar, duke shtuar faktin këtu, që tatimi në pronë është i vetmi tatim i decentralizuar në nivelin komunal, dhe sipas tyre në këtë mënyrë, të hyrat nuk realizohen, gjë që ndikon drejtpërdrejt në arritjen e qëllimeve të komunës ku të hyrat janë bazë e financimit./Shqip.com