Lajme

ZRRE po e shqyrton kërkesën e KEDS-it për rritje të çmimit të energjisë elektrike

Bordi i ZRRE-së në takim.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është duke shqyrtuar kërkesën e Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) për shtrenjtim të energjisë elektrike, përcjell Shqip.com.

Kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se kanë hapur shqyrtim të jashtëzakonshëm për këtë kërkesë, duke theksuar se sipas legjislacionit në fuqi, zgjat 45 ditë.

“Ka një kërkesë për rritje të tarifave të energjisë elektrike, ne e kemi hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm. Pas shqyrtimit në do të publikojmë, do të mbajmë mbledhjen dhe do të marrim komente”, tha ai pas mbledhjes së bordit.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së bordit, janë miratuar vlerat hyrëse dhe shpenzimet e KESCO-s për periudhë tre-vjeçare.

Kurse, në këtë mbledhje janë miratuar edhe pesë kërkesa për vetëkonsum që kanë të bëjnë me instalimin e paneleve solare.

Ndryshe, kërkesa e KEDS-it ka qenë që të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike deri në 40 për qind./SHQIP.com