Lajme

Zogaj: Invazioni i Rusisë ka trimëruar aletatët e saj, Kosova të jetë vigjilente

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Zogaj konsideron se pushtimin e Ukrainës nga Rusia  po nis një histori e re  e përplasjeve në mes të Perëndimit dhe Rusisë. Lidhur me ndikimin e këtij agresioni në Kosovë Zogaj thotë se tashmë edhe aleatët e Rusisë siç është edhe Serbia janë trimëruar, prandaj kërkon që autoritetet kosovare të jenë vigjilente karshi kësaj situate të krijuar.

Profesori i historisë, Agim Zogaj për Shqip.com thotë se tani politika pushtuese ruse synim ka ndërhyrjen në vendet post-sovjetike siç janë edhe Lituania, Estonia, Hungaria e të tjera.

“Tash politika e Rusisë është që të ndërhyjë dhe të pushtoj ato territore në emër të asaj se kanë qenë sovjetike dikur tash janë post-sovjetike dhe në emër të asaj se aty punojnë banor rus dhe në rast se ky skenar është i tillë atëherë sigurisht që do të keni shqetësime të tjera edhe shtetet tjera që kanë dal prej BRSS-së siç janë Lituania, Estonia e të tjera”, tha ai.

Lidhur me ndikimin e pushtimi rus në Ukrainë në sigurinë kosovare, Zogaj shprehet se Kosova si shtet nuk është imune nga këto zhvillime, por kërkoi vigjilencë nga autoritetet shtetërore.

Tutje ai u shpreh se veprimet e Serbisë do të varen krejtësisht prej asaj se si shtet a do të vendosin sanksione karshi Rusisë apo jo.

“Rrezikun e shoh në dy rrafshe e para që Serbia hapur ka pretendime territoriale  ndaj shtetit të Kosovës dhe këtu ne nuk jemi të përgjumur, këtu duhet të kemi shumë vigjilent  sepse edhe Ukraina e ka nënçmuar rrezikun e pretendimeve për invazion të Rusisë dhe ja çfarë ndodhi edhe ata kanë menduar se nuk do t’i sulmoj dhe do të jetë vetëm luftë diplomatike. E para ne duhet të jemi vigjilent dhe koshient sepse rreziku është permanent nga Serbia sepse Serbia në objektiv e ka ripushtimin e Kosovës dhe në veçanti shkëputjen e veriut dhe bashkëngjitjen Serbisë dhe kjo është e qartë. Ne duhet të jemi shumë koshient dhe vigjilent sepse rreziku i dytë na vjen në rast se Serbia si model të pushtimit dhe të realizimit të aspiratave të saj pushtuese e merr Moskën përkatësisht e merr përkrahjen e Moskës”, u shpreh profesori Zogaj.

Ai thotë se në rast se Serbia nuk vendos sanksione karshi Rusisë, kjo e fundit do t’i ofroj përkrahje shtetit serb për të vazhduar politikat pushtuese për destabilitet në Kosovë dhe Bosnje.

“Në rast Serbia nuk vendos sanksione Rusisë çka unë pres që kjo do të ndodh brenda 48 orëve atëherë Moska zyrtare, Kremlini zyrtar Putini drejtpërdrejtë do të mund t‘i jap përkrahje më të fuqishme presidentit serb dhe udhëheqjes së Serbisë që të vazhdoj me politikat e saj pushtuese për të krijuar destabilitet në Kosovë dhe Bosnjes përmes republikës serbe”, u shpreh Zogaj për Shqip.com.

Flamuri i Kosovës dhe Ukrainës

Pas veprimit ushtarak të Rusisë ndaj popullit ukrainas, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar sanksione të rrepta kundër Rusisë.

Por sipas historianit, Agim Zogaj autoritetet ruse nuk u frikësohen këtyre sanksioneve.

Ai për Shqip.com thekson se me sulmin rus në territorin ukrainas fillon një histori e re e përplasjeve midis Rusisë dhe Perëndimit, dhe shtetit rus me SHBA-të.

“Bota sidomos Evropa dhe në veçanti Evropa Lindore por edhe Ballkani hynë në një kapitull  të ri i cili është i paparashikueshëm, në një kapitull të ri në të cilin Rusia me forcën e tankeve dhe ushtrisë po imponon politikën e vetë, politikën e pushtimeve dhe unë vlerësoj se bashkësia ndërkombëtare ka qenë tepër e butë, tepër indolente ndaj këtyre pretendimeve të Rusisë për agresion ushtarak  kjo ka qenë shumë e qartë dhe ata janë përpjekur që ta frikësojnë dhe ta parandalojnë ose thënë më mirë ta zmbrapsin Putinin dhe Rusin përmes disa sanksioneve, por Rusia dhe Putini nuk e qanë hallin dhe nuk e ka hallin për sanksione dhe kjo u pa qartë në mëngjesin e sotëm kur frontalisht nga Rusia dhe Bjellorusia  kanë hyrë forcat ushtarake dhe janë duke u zhvilluar luftime. Rajoni po hynë në një cikël me shumë të panjohura dhe rendi i ri botëror prej sot është në shembje e sipër, fillon një histori e re e këtyre raporteve dhe fillon një histori e re e përplasjeve midis Rusisë dhe Perëndimit, Rusisë dhe BE-së dhe Rusisë dhe SHBA-ve”, u shpreh ai.

 Sot në orët e hershme të mëngjesit trupat ruse janë futur në Ukrainë, ndërsa shpërthime të shumta u dëgjuan në qytete të ndryshme përfshirë edhe Kievin.

Trupat ruse janë parë duke u futur edhe nga territori bjellorus. Ndërsa, sulmin rus e kanë dënuar të gjitha vendet përfshirë perëndimore. Ndërsa, edhe autoritet kosovare e kanë dënuar këtë pushtimin rus ndaj popullit ukrainas. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ajo që po ndodh në Ukrainë është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. /Shqip.com