Lajme

Zëdhënësi i Qeverisë: Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në një vizitë zyrtare në Athinë që nga data 8 korrik.

Ai tregoi se Kurti ka marrë pjesë në dy  konferenca, njëra e organizuar nga Qeveria greke dhe “The Economist” si dhe tjetra në Simpoziumin SYMI.

Nga opozita kanë kritikuar kreun e ekzekutivit që “po pushon në brigjet greke përderisa në Deçan ka gjendje të jashtëzakonshme”.

Por, sipas Kryeziut, shpenzimet e akomodimit të Kuritt për sa i përket organizimit “Simpoziumin Symi”, mbulohen nga organizatori.

“Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori”, ka thënë Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë shtoi se Kurti ka zhvilluar takime shumë të rëndësishme në Greqi.

Theksoi se ai ka biseduar me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramsosaj si dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. /Shqip.com