Lajme

Zbulohet skema e mashtrimit, si i vodhën 10 mln euro qytetarëve të BE me anë të Call Center-ave

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me operacionin e SPAK dhe Krimit Kibernetik të Tiranës kundrejt grupit që mashtronte qytetarët e BE-së përmes Call Center, duke shkaktuar një dëm prej 10 mln eurosh.

Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, dhe kontrolleve u arrit të sekuestrohen: 6 njësi kompjuterike Laptop; 1 njësi kompjuterike PC; 11 aparate telefoni celularë; 2 monitorë kompjuteri; 1 USB; 1 pajisje monitorimi kamera sigurie; 10 110 Euro; 3 Automjete; 2 ora të markës “Ademars Piguet”; dokumente të ndryshme me të dhëna të viktimave dhe të funksionimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm; sasi lënde narkotike.

Mësohet se Sektori i Krimit Kibernetik në Tiranë në bashkëpunim me SPAK kanë arritur që të zbulojnë një banesë në zonën e Liqenit të Thatë ku përmes 6 kompjuterëve, operatorët u premtonin shtetasve të huaj që të investonin në bursën Forex për të marrë përfitime të mëdha.

Për bazën në Shqipëri administrator ishte një shqiptar i Kosovës, ndërsa punonin edhe 5 persona të tjerë.

Ata u arrestuan nga sektori për krimin kibernetik në policinë e Tiranës dhe Prokuroria e Posaçme për llogari të operacionit ndërkombëtar të Europol.

Përveç premtimit për të investuar në bursën Forex, punonjësit në zyrën në Shqipëri merrnin për herë të dytë personat që i kishin mashtruar më përpara me premtimin për tu kthyer shumat që i kishin humbur.

Hetimet për goditjen e grupit u nisën fillimisht nga Gjermania. Nga numrat e telefonit të grupit të strukturuar kriminal që ishte shtrirë në disa shtetet të ndryshme dyshohet se kanë shkaktuar një dëm prej 10 milionë eurosh.

Operacioni o koduar “Pandora” është mbajtur i fshehtë nga Krimi Kibernetik i Tiranë dhe SPAK për shkak të hetimeve sensitive, ndërkohë vijojnë hetime të tjera për zbulimin e bazave te dyshuara që përdoreshin nga Call Center.

/Shqip.com