Zbresin në Shëngjin emigrantët e parë, shoqërohen nga autoritetet italiane, kontroll shëndetësor dhe…
16 emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi kanë zbritur në portin e Shëngjinit nga anija Libra e marinës italiane.
Emigrantët kanë zbritur të shoqëruar nga autoritetet italiane, teksa pranë qendrës së pritjes është vendosur dhe një ambulancë. Në bordin e anijes u ngjit dhe një ekip shëndetësor dhe më pas një pjesë e tyre zbriti nga anija për të hyrë në qendrën e pritjes, ku do të qëndrojnë përreth 8 orë. Qendra e pritjes, por edhe kampi në Gjadër monitorohen me kamera sigurie.
Në pjesën e jashtme të qendrës ndodhen forcat e policisë shqiptare dhe efektivë të policisë italiane apo autoritetet italiane që presin emigrantët.
Ata vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta. Janë emigrantë që janë kapur në det të hapur. Anija Libra e marinës italiane monitoron ujërat dhe imbarkon emigrantët, të cilët më pas sillen në Shqipëri.
Emigrantët që kapen në det të hapur dërgohen në Shqipëri pa prekur tokën italiane. Destinacioni i tyre i parë është Porti i Shëngjinit. Pas plotësimit të dokumentacionit për secilin prej tyre dërgohen në kampin e Gjadrit për të pritur më tej përgjigjen për kërkesat e tyre për azil.
/Shqip.com