Lajme

Ymeri: Kërkojmë ekzekutimin e pagave dhe jo avanse

Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës po kërkojnë nga Ministria e financave, Punës dhe Transferëve që të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit.

Ndërsa, Ministria e Arsimit ka bërë kërkesë në atë të Financave për avans të mësimdhënësve në rast të kompensimit të orëve të humbura.

Sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri tha për Shqip.com tha se zëvëndësimi i orëve është vendim i një anshëm dhe se duan pagat dhe jo avans.

“Për neve edhe zëvendësimi i orëve që është i njëanshëm nga ministrja dhe këto kërkesa janë të paarsyeshme. Ne kërkojmë si SBASHK kërkojmë që me u ekzekutu pagat dhe jo me dhënë avanse. Të ekzekutohen pagat ashtu sic u ekzekutuan për punonjësit e tjerë që ishin në grevën e shpallur nga BSPK-ja sepse grevën nuk e ka shpallur SBASHK-u dhe as nuk e ka mbyllë por vetëm ka qenë pjesë e grevës së bashku me administratat si dhe punonjësve të disa ministrive”, tha Ymeri.

Ymeri tha se avansi është një llojë huazimi i cili nuk bëhet pa e kërku dhe se këta të fundit nuk e kishin kërkuar.

Duhet me e ekzekutu pagën edhe për mësimdhënës dhe jo avanse. Avansi është njëfarë lloj huazimi dhe nuk besoj që pa kërku jepet huazim”.

Ndërsa, për kompenzimin e orëve tha se Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e kishte marrë si vendim të njëanshëm dhe se me kontratën kolektive në mes SBASHK-ut dhe MASHTI-t kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës nuk parashihet.

“Jo që jemi kundër për kompensimin e orëve të mësimit por ajo është e nënshkruar në kontratën kolektive në mes SBASHK-ut dhe MASHTI-t në të cilën thuhet se orët e humbura në grevë nuk zëvendësohen. Ministrja pa asnjë konsultim dhe as nuk ka tentuar që të bëjë marrëveshje lidhur me këtë çështje dhe përsëri është munduar që të krijojë konflikte “.

Megjithatë, në rast që nuk ekzekutohen pagat edhe sot, Ymeri tha se do të bisedojnë më anëtarësinë për veprimet e mëtutjeshme

“Do të pyesim anëtarësinë për veprime të mëtejshme dhe veprime nuk do të ndërmarrim ndoshta pikërisht sot sepse kanë thënë që deri me datë 5 duhet me u ekzekutu pagat sipas kontratave me të punësuarit”.

Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit ka qenë tema që e ka hapur javën e parë të tetorit, ani pse pritjet ishin që procesi mësimor të vazhdonte në mënyrë normale pas më shumë se 1 muaj grevë.

Veprim i Qeverisë ka shkaktuar reagime të ndryshme, në raste te caktuara është përmendur edhe mundësia që mësimdhënësit të futen përsëri në grevë.

Qeveria në vazhdimësi që nga dita e hënë ka thënë se nuk do të ketë paga për ata të cilët nuk kanë dalë në punë dhe se kjo çështje është e mbyllur nga ana e ekzekutivit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të hënën ka deklaruar se do të presin Qeverinë deri me datë 5 tetor, në të kundërtën do të jenë të detyruar të veprojnë ndryshe. Ai theksoi se veprimet mund të jenë edhe më të rënda nga ana e SBASHK-ut, në rast se pagat nuk ekzekutohen.

/Shqip.com