Lajme

Vuçiq: Rama po bën punë të mira, Kurti po gabon

Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka lavdëruar kryeministrin shqiptar, Edi Ramën, duke thënë se po bën punë të mira për popullin e tij, ndërsa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është duke gabuar.

Sipas Vuçiqit, Kurti dëshiron ta bllokojë Kosovën me mesazhe shoviniste, kërcënime e shantazhe.

“Unë mendoj se Rama po bën punë të mira për njerëzit e tij, dhe fakti që Kurti nuk e kupton këtë dhe mendon se është koha për të mbyllur hapësirën me mesazhe shoviniste, kërcënime dhe shantazhe … Unë mendoj se ai është shumë i gabuar, por nuk kam asgjë kundër kësaj”, tha të enjten ai, shkruan B92, transmeton Shqip.com.

Tutje, Vuçiq është shprehur se i vjen keq që disa në rajon janë kundër nismës “Ballkani i Hapur”.

“Dhe të mos bashkëpunojnë me njëri -tjetrin. Por kjo është zgjedhja e tyre, dhe e jona është bashkëpunimi, hapja dhe përparimi. Por, të gjithë kanë të drejtë të zgjedhin të ardhmen e tyre,” tha Vuçiq, duke iu drejtuar mediave.

Sot në Shkup u mbajt Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal në kuadër të nismës së “Minishengenit” dhe liderët e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut nënshkruan disa marrëveshje e memorandume mirëkuptimi.

Kosova menjëherë reagoi duke thënë se nuk e përkrah një nismë të tillë dhe se ajo “është pa vizion”./SHQIP.com