Lajme

Vuçiq: Nuk do ta zbatojmë pjesën e marrëveshjes lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB

Aleksandar Vuçiq - President i Serbisë
Aleksandar Vuçiq - President i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar “as edhe një pikë” dhe ka ripërsëritur se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë”, deklaroi Vuçiq më 21 mars pasi u takua në Beograd me kryediplomatin e Italisë, Antonio Tajani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se faktorët ndërkombëtarë duhet ta “dënojnë” Serbinë për mosnënshkrimin e marrëveshjes në Ohër.

“Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, me qenë se Marrëveshja Bazë është njohje de facto. Pra, unë besoj se kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë partnerët, aleatët, miqtë tanë të vendeve demokratike në Perëndim, dhe jo vetëm, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë, të përkushtuar, e kreativ si asnjëherë”, deklaroi Kurti.

Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

/Shqip.com