Lajme

Von Cramon pret që barrikadat në veri të largohen

Eurodeputetja dhe raportuesja e përhershme për Kosovën, Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se pret qe barrikadat të largohen si shenjë e deeskalimit të situatës.

Përmes një postimi në Twitter, von Cramon tha se stabiliteti në veri të Kosovës duhet të jetë përparësi.

“Rivendosja e paqes dhe stabilitetit në Veri të Kosovës duhet të jetë një përparësi. Sidomos sulmet ndaj

Eulex-it janë tërësisht të papranueshme. Unë pres që barrikadat nga serbët e Kosovës të çmontohen si deeskalim”, shkroi von Cramon.

Von Cramon tha se ofron mbështetje të plotë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.

/Shqip.com