Vitia zotohet të ndajë 500 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arben Vitia, është zotuar për ndarjen e 500 mijë eurove për trajtimin e qenve endacakë gjatë mandatit të tij qeverisës, transmeton Shqip.com.
Derisa foli për këtë problem me të cilin përballen qytetarët e Prishtinës, Vitia tha se mënyra se si do të merren me qentë endacakë nëse ai fiton në zgjedhjet e 17 tetorit, do të jetë sipas sistemit “Kap, sterilize, vaksino dhe lësho”.
“Komuna e Prishtinë do të ndajë 500,000 euro për trajtimin e qenve endacakë që qytetarët të kenë siguri gjatë ecjes. Qentë endacak që sterilizohen janë më pak agresiv, e në anën tjetër duke u vaksinuar janë më të sigurt për qytetarët dhe jetëgjatësia e qenve të rrugës është më e vogël se e qenve shtëpiakë”, tha ai në KTV.
“Në vende ku ka grumbullime të mëdha të qeve, ne kemi menduar që në bashkëpunim me shoqata të ndryshme të ndërtojmë strehimore”, shtoi më tej Vitia.
Ai ka përmendur edhe bashkëpunimin me nivelin qendror dhe agjencionet e pavarura në këtë drejtim, duke thënë se do të jetë i hapur në këtë aspekt. /Shqip.com