Vihen në pranga 5 persona, kërcënuan presidentin e FSHF-së, Armand Duka
Policia ka arrestuar 5 persona pasi kanë kërcënuar verbalisht presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe më pas i kanë shkuar në banesë.
Sipas policisë, Duka është kërcënuar për shkak të detyrës pasi autorët e vendosur në pranga janë presidenti i klubit “Ilira” Nazmi Selmani.
Nazmi Selmani së bashku me Brajan, Santiago dhe Petrit Selmani (këta dy të fundit, futbollistë të skuadrës “Iliria”), si dhe Redian Locin kanë kërcënuar verbalisht me anë të mesazheve kreun e FSHF-së dhe më pasi i kanë shkuar në banesë.
Gjithashtu, policia ka proceduar në gjendje të lirë shtetasit një 24 vjeçar dhe një 39 vjeçar, të dy banues në Krujë.
“Kërcënuan me sms për shkak të detyrës 62-vjeçarin, Policia kap dhe vë në pranga 5 shtetas si dhe procedon penalisht dy të tjerë. Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë.
Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë. Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij”, theksohet në njoftimin e policisë.
Policia shpjegon më tej se pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën, duke lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat personat e dyshuar, ku në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve dhe procedimi në gjendje të lirë i dy të tjerëve.
Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjitheshëm Durrës për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim.
/Shqip.com