Vetëm një orë protestë, tre policë të lënduar: Mbyllet tubimi i opozitës, Berisha fluturon drejt Romës

Me thirrjen “Rroftë Shqipëria” dhe me flamurin kombëtar të valëvitur prej tij, lideri i opozitës, Sali Berisha e mbylli protestën e thirrur nga Partia Demokratike këtë të shtunë para Kryeministrisë, ku u bë thirrje për qeveri teknike dhe u hodhën akuza për korrupsion ndaj qeverisë ‘Rama’.
E ndërsa thirrjet e opozitës ishin se protesta do të ishte madhështore, ajo zgjati vetëm një orë.
Në orën 5:40 Sali Berisha pas marshimit nga selia blu mbërriti në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në 6:43 minuta u largua nga skena, ndërsa protestuesit u shpërndanë menjëherë pas tij.
Tubimi ishte organizuar në një format, ku u dëgjuan fjalimet e tre aleatëve kryesorë, Fatmir Mediu, Agron Duka dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili iu drejtua protestuesve me një audiomesazh nga qelia numër 5.
Pas tyre fjalimi i Berishës zgjati 30 minuta dhe u përqendrua te akuzat përkundrejt kryeministrit Edi Rama, por edhe te thirrja për Diasporën që të votojë Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.
Pavarësisht që mungoi agresiviteti i protestave të mëparshme, dhe po ashtu edhe molotovi, tre efektivë policie mbetën të lënduar, pasi në momentin kur Berisha u ngjit në podium, protestuesit hodhën kapsolla dhe tymuese në drejtim të kordonit të vendosur para Kryeministrisë.
Sakaq, Berisha menjëherë pas tubimit është nisur për në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, nga ku në orën 21:00 të mbrëmjes do të fluturojë në drejtim të Italisë.
Kryedemokrati do të ndalet në Romë, ku do të ketë nesër takime me emigrantët shqiptarë që jetojnë në kryeqytetin italian, në kuadër të turit të Diasporës.
/Shqip.com