Lajme

“Veriu i Kosovës tokë e askujt”/ Rama sqaron nga Granada intervistën për FT dhe jep këtë përgjigje për kritikët

Kryeministri i Edi Rama në një intervistë për Radiotelevizionin e Shqipërisë nga Granada e Spanjës ku janë mbledhur liderët e Komunitetit Politik Europian u është përgjigjur kritikave që i janë bërë pas qëndrimeve të fundit për Kosovën dhe situatën në Veri.

Sidomos reagime ka shkaktuar një intervistë e tij në gazetën Financial Times ku Rama tha se Veriu është shndërruar me kalimin e viteve në një tokë të askujt. Por, një gabim që kjo gazetë e bëri, duke lënë të kuptohet se Rama po i referohet Kosovës si tokë e askujt, nxiti shumë reagime.

Gazeta Financial Time reagoi duke e theksuar se Rama e kishte fjalën për Veriun e jo për Kosovën si të tërë. Sidoqoftë deklarata nxiti reagime të shumta dhe kritika në adresë të tij.

Atyre iu përgjigj Edi Rama nga Granada sot duke i quajtur “shpërthim të kanaleve të ujërave të zeza“.

“Unë vazhdoj të bëj timen, t’i qëndroj një për një të gjitha bindjeve të mia, sepse nuk janë bindje të krijuara spontanisht, nuk janë bindje që burojnë nga emocione apo erëra që fryjnë në një drejtim apo një drejtim tjetër, nuk janë zjarre që ndizen apo fiken, por janë bindje që burojnë nga një vizion strategjik i rolit të Shqipërisë në rajon dhe i marrëdhënies së Shqipërisë me Kosovën, në funksion të së cilës Shqipëria ka bërë më shumë se kurrë ndonjëherë atë që duhet të bëjë, por Shqipëria nuk është për të mbajtur iso për çdo gjë që thuhet në bazë të analizës, që në të drejtën e tyre bëjnë në Prishtinë. Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës dhe për njohjen përfundimtare të Kosovës me zërin e vet. Nga ana tjetër, kam parë po ashtu se si gjithmonë në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza, kinse patriotizmit, që siç thotë ajo fjala ‘është streha e fundit e maskarenjve”, deklaroi Rama.

Financial Times: Rama e kishte për Veriun
Intervista e kryeministrit Edi Rama për prestigjiozen Financial Times trazoi rrjetin një ditë më parë. Duke u ndalur posaçërisht te situata në veri të Kosovës, kreu i qeverisë kishte dhënë një shpjegim të detajuar se si e mendon ai gjendjen atje, por edhe se si mund të arrihet te zgjidhja dhe garantimi i paqes.

Në atë që kishte publikuar FT në faqen online, kryeministri shprehej sa i takon Kosovës si më poshtë: “Kosova është një pikë e nxehtë”, ka thënë Rama. “Për vite me radhë është bërë toka e askujt ku të gjitha llojet e krimit kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufijtë mes krimit dhe politikës është i mjegullt“.


FT e ka korrigjuar paragrafin që ndezi polemikat, duke sqaruar se deklarata e kryeministrit lidhej në mënyrë specifike me Veriun e Kosovës. “Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve veriu është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”.

Kjo është deklarata e edituar nga Financial Times.

/Shqip.com