Veliu-Hysenit: Nëse të ka kapur sikleti i 14 nëntorit, merru me Bulliqin jo me mua

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe ish-kryetar i komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka komentuar deklaratën e kandidatit për kryetar të kësaj komune nga partia e tij, Ekrem Hyseni, i cili në ‘Frontal’ të T7 tha se “nuk e di nëse (Agim Veliu) ka bërë fushatë apo jo, por nëse ka bërë fushatë, për ne s’ka bërë”, transmeton Shqip.com.
Veliu thotë se tash e mbi 30 vjet punon vetëm për LDK-në dhe përkundër vendimit të kryesisë, ai vazhdon të jetë në këtë subjekt politik.

“Nuk kisha dashtë të komentoj deklaratat e kandidatëve që janë në garë për kryetarë tani në balotazh. Por, meqë kandidati i LDK-së në Podujevë ma paska lakuar emrin, dua t’i them atij dhe të gjithë të tjerëve që kanë role episodike në LDK, se Agim Veliu tash e mbi 30 vjet punon vetëm për LDK-në”, ka thënë ai për ‘Express’.
“Jam themelues i Degës së LDK-së në Podujevë. Edhe përkundër vendimit të kunderligjshëm, kundërstatutar, madje edhe të pamoralshëm të Kryesisë së LDK-së, unë ende jam në LDK. Pra, kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë me LDK-në dhe në LDK”, tha më tej Veliu.
Ish-kryetari i Podujevës e ka quajtur Hysenin si “kandidat të Lumirit” dhe ka sygjeruar këtë të fundit që të merret me rivalin e tij nga VV-ja, Shpejtim Bulliqin dhe jo me të.
“Kandidatin e Lumirit, nëse e ka kap sikleti i 14 nëntorit, për mendimin tim, më mirë është të merret me rivalin e tij nga VV-ja sesa me mua”, u shpreh Veliu. /Shqip.com