Lajme

Vdes një i ri në Deçan, gjendet i djegur brenda shtëpisë së tij

Lajmi i Fundit.

Një person i ri në moshë është gjetur i vdekur brenda shtëpisë së tij e cila ishte përfshirë nga flakët mëngjesin e së premtes në fshatin Lloqan të Deçanit, përcjell Shqip.com.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Ai ka bërë të ditur se gjatë intervenimit nga zjarrfikësit është vërejtur se një person i djegur është brenda shtëpisë.

Rugova shtoi se vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor, teksa trupi i viktimës, me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Sot me datë 17.12.2021, rreth orës 06:35, Policia është i formuar se në fshatin Lloqan-Deçan, një shtëpi është duke u djegur, me të marrë informatën Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vend ngjarje, dhe gjatë intervenimit nga zjarrfikësit është vërejtur se një person është brenda i djegur (karbonizuar), vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente dhe Prokurori i shtetit, me urdhër të Prokurorit trupi i pajetë dërgohet ne institutin e mjekësisë ligjore ne Prishtinë (IML) për obduksion dhe rasti cilësohet si ‘Hetim i vdekjes’ “, ka deklaruar Rugova.

Ndërkaq, për vdekjen e të riut ka shkruar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili shprehu ngushëllime familjes së viktimës.

“I rëndë dhe pikëllues lajmi për ndarjen tragjike nga jeta, e të riut  Mentor (Canë) Himaj nga fshati Lloqan komuna e Deçanit.

Ngushëlime familjes Himaj, miqëve dhe të gjithë qytetarëve të Deçanit!”, shkroi Ramosaj në Facebook./SHQIP.com