Lajme

Vazhdimi i dialogut: Kundërthënie mes Kosovës, Serbisë e BE-së për temat e takimit të së martës

Ilustrim

Të martën e 16 nëntorit, ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë do takohen në Bruksel për të vazhduar dialogun, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe tri ditë nga ky takim – ka kundërthënie ndërmjet palëve se për çfarë saktësisht negociohet këtë herë.

Zyrtarët e BE-së, palë ndërmjetësuese në këtë proces, kanë thanë se në raundin e ri të takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe çështjet e hapura e rrugën përpara në dialog.

Ndërsa, nga zyra e kryeministrit të Kosovës kanë thënë se, “temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, ndërkaq “data për takimin e mundshëm për dialogun në nivel politik ndërmjet liderëve varet nga rrjedha e procesit dhe dakordimi për çështjet në nivel kryenegociatorësh”.

Në anën tjetër nga zyra e qeverisë së Serbisë për Kosovën, ka thënë se në takimin e së martës, ekipi serb kryesohet nga drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, dhe se në takim tema kryesore do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Autoritetet e Prishtinës janë kategorike kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu siç e kërkon Beogradi zyrtar “Asociacion me kompetenca ekzekutive”, duke iu referuar marrëveshjes parimore të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha para disa ditësh në një intervistë për DW-së, se “Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion mbi baza etnike” dhe se marrëveshjen e vitit 2013, sipas tij, deputetët e Kosovës e kanë miratuar në një trysni të jashtëzakonshme ku ka munguar transparenca.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues. Ajo nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013, mirëpo goditja që ia ka bërë përmbajtjes në vitin 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht e ka goditur edhe marrëveshjen e 2013-ës”.

“Me fjalë të tjera, ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë që vetëm gërma e Asociacionit është problematike, por ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën, por në të njëjtën kohë ka goditur edhe frymën e këtij Asociacioni. Nuk mund të ketë me Kushtetutën e Kosovës asociacion mbi  baza etnike”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, tha një ditë më parë në Beograd, se “Kosova duhet ta formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel”, ose në të kundërtën, siç u shpreh, “faleminderit, ju punën tuaj, ne punën tonë, ndoshta takohemi një ditë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Sidoqoftë, Brukseli zyrtar që ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, por edhe SHBA-ja, vazhdimisht kërkojnë nga palët që të ulen në një tavolinë në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ku adresohen të gjitha çështjet./SHQIP.com