Lajme Ballkan

Varhelyi optimist se Bosnja mund të marrë në dhjetor statusin e vendit kandidat

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se është optimist se Bosnjë e Hercegovina do të marrë statusin e shtetit kandidat nga blloku evropian në muajin e ardhshëm, nëse plotësohen disa kushte që Brukseli i ka paraqitur së fundmi.

Duke folur gjatë një takimi në Sarajevë, më 28 nëntor, me anëtarët e presidencës trepalësh të Bosnjës, Varhelyi bëri të ditura kushtet.

Në to përfshihet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat gjyqësore dhe të migrimit, por edhe garancitë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve.

“Rruga evropiane është e hapur, por priten rezultate nga Bosnja. U takon liderëve politikë që këto të bëhen realitet”, tha Varhelyi pas takimit me anëtarët e presidencës Denis Beqiroviq, Zhejko Komshiq dhe Zhejka Cvijanoviq, raporton Radio Evropa e Lirë.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, ka deklaruar se Sllovenia është një avokate e fortë e dhënies së statusit të kandidatit për Bosnjën dhe liberalizimit të vizave për Kosovën.

/Shqip.com