Uragani Milton/ Raportohet për 4 të vdekur, miliona njerëz pa energji elektrike në Florida
Uragani “Milton” shkaktoi erëra të fuqishme si dhe përmbytje në pjesën më të madhe të Floridës, pasi goditi tokën si një uragan të kategorisë 3 duke kërcënuar jetët e banorëve.
“Milton” u dobësua në një uragan të kategorisë 1 ndërsa lëvizi nëpër Florida të enjten. Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë ndodhur në disa zona dhe janë raportuar viktima nga moti i keq.
Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se shpejtësia e erës arriti deri në 205 km/h kur goditi bregun në Siesta Key, në jug Tampës. Zonat më të rrezikuara dhe me popullsi të dendur janë: Tampa, St Petersburg, Sarasota dhe Fort Myers.
Fort Myers – Shumë rrugë në zonën e Fort Myers janë nën ujë ose të bllokuara nga pemët e rrëzuara. Sipas autoriteteve lokale shumë rrugë ishin ose nën ujë ose të bllokuara nga pemët e rrëzuara, linjat e energjisë elektrike të rrëzuara ose mbeturina të tjera. Në disa zona lartësia e ujit në rrugë arriti deri në një metër. Një urë në lindje të qytetit Matlacha është pjesërisht e bllokuar, thanë zyrtarët.
Sipas autoriteteve lokale të Qarkut Hillsborough janë zhvilluar disa operacione shpëtimi. “Ekipet tona janë në terren, duke i çuar njerëzit drejt vendeve të sigurta”, njoftoi policia lokale. Zyrtarët në qytetin Pinellas të goditur rëndë gjithashtu po u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë aty ku janë.
Sarasota- Në Sarasota, ekuipazhet e emergjencës raportuan për linjat e energjisë dhe pemët në rrugë. Disa ura nuk ishin të kalueshme. Autoritetet lokale iu bënë thirrje banorëve dhe pronarëve të bizneseve që të qëndrojnë në shtëpi për të lejuar ekipet e urgjencës të punojnë.
Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se “Milton” po lëvizte në brigjet lindore të Floridës herët të enjten me erëra maksimale 137 kilometra në orë, për të arritur më pas në Bahamas.
Shkatërrimet e uraganit Milton në të gjithë Floridën shkaktuan ndërprerjen e energjisë elektrike për më shumë se 3 milionë shtëpi dhe biznese sipas kompanisë PowerOutages.us.
/Shqip.com