Lajme

Ukraina nënshkruan deklaratën e synimit për anëtarësim në BE

Ursula von der Leyen dhe Volodymyr Zelensky

Liderët kryesorë institucional ukrainas kanë nënshkruar deklaratën për t’iu bashkuar familjes europiane.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministri Denys Shmyhal dhe kryetari i parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, kanë nënshkruar një deklaratë mbi synimin e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, raporton BBC.

Zelensky tha në rrjetin social ‘Telegram’ se deklarata e tyre e përbashkët ishte një “sinjal i unitetit të të gjitha degëve të pushtetit” dhe dëshmi se Ukraina ishte e vendosur për të arritur qëllimin e saj strategjik për arritjen e anëtarësimit të plotë në BE.

Presidenti shtoi se rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit nuk duhet të zgjasë vite apo dekada.

(Foto: Getty)

“Ne duhet ta mbulojmë këtë rrugë shpejt. Bëjmë pjesën tonë të punës pa të meta,” shtoi ai.

Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se anëtarësimi në BE ishte “në dorë” për Ukrainën, por i kërkoi vendit të ecë përpara me reformat kundër korrupsionit.

Përndryshe, Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE vetëm pesë ditë pas pushtimit të Rusisë më 24 shkurt dhe blloku 27 anëtarësh pranoi kandidaturën e saj më 23 qershor. /Shqip.com