Lajme

Ukraina arrinë të rimarrë rreth 120 vendbanime vetëm në dy javet e fundit

Zyrtari i lartë i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksii Hromov ka thënë se Ukraina ka arritur të rimarrë rreth 120 vendbanime në dy javët e fundit.

Siç raporton CNN, Ukraina është duke përparuar edhe në rajonet që tashmë joligjërisht Rusia i ka aneksuar.

Hromov tha se Rusia është duke u përpjekur që t’i përgjigjët Ukrainës sidomos në drejtim të Khersonit.

“Në drejtimin Kherson, armiku po përpiqet të kundërsulmojë në kurriz të rezervave me qëllim që të frenojë përparimin e trupave tona dhe të rifitojë pozicionet e humbura. Që nga 1 tetori, 29 vendbanime janë marrë nën kontrollin tonë,” tha Hromov.

Hromov tha se Rusia kishte rritur përdorimin e droneve të sulmit të prodhuara nga Irani.

“Që nga 30 shtatori, armiku përdori 46 drone kamikaze ‘Shahed 136’ për të goditur objektet ushtarake, infrastrukturën civile dhe pozicionet e trupave. 24 nga këto drone u shkatërruan,” tha ai.

Hromov tha se në total Rusia kishte përdorur 86 nga këto drone.

Në azhurnimin e tij operacional të enjten, shtabi i përgjithshëm ukrainas tha se Rusia vazhdoi të provojë “veprime sulmuese” në rajonin e Donetskut dhe kishte kryer më shumë se 20 sulme me raketa.

Sipas ushtrisë ukrainase, vendbanimet në rajonet Donetsk dhe Zaporizhzhia ishin dëmtuar, por përpjekjet ruse për të përparuar në zonën e Bakhmutit dhe pjesë të tjera të Donetskut kishin dështuar.

Shtabi i Përgjithshëm tha se forcat ajrore ukrainase kishin kryer 11 sulme të enjten, por nuk dhanë detaje mbi përparimin e ofensivës në Kherson.

Imazhet satelitore sugjerojnë se forcat ruse kanë fortifikuar pozicionet mbrojtëse pranë qyteteve Vesele dhe Nova Kakhovka në lumin Dnieper.

/Shqip.com