Ua kemi një borxh fëmijëve shqiptarë…
Sapo dola në mëngjes nga shtëpia, u ndesha me një panoramë magjepsëse të këtyre engjëjve që nën kujdesin e edukatorëve shëtitnin në mjediset e kryeqytetit…
Të gjithë si drita, të bukur dhe magjepsës në botën e tyre të dëlirësisë dhe të pafajësisë…
Dukej se e gjitha kjo atmosferë e krijuar prej tyre po e sfidonte rrokopujën e zhurmshme të zullumeve të më të rriturve, të cilët me dashje dhe pa dashje shpesh e lëndojnë atë që është më e shenjtë dhe më e paprekshme: JETËN!
Fuqia e tyre që buron vetëm nga sinqeriteti, paqja dhe mirësia shpartallon çdo skutë të errët, çdo forcë destruktive dhe të egër, shuan epshet e urrejtjes e të mllefit toksik që synon ta bëjë edhe më të pasigurt dhe të pajetueshme të përditshmen tonë…
Nuk ka faltore më të shenjtë para këtyre engjëjve që na bënë të reflektojmë dhe të pendohemi për ato që nuk duhet t’i kishim bërë dhe ato që do të duhet të bëjmë në jetën tonë të përditshme për të ndërtuar një botë më të mirë, një të ardhme edhe më të sigurt për të sotmen dhe për të ardhmen e brezave që vijnë…
Kjo foto që e shkrepa sot në mëngjes, tashmë do të qëndrojë përgjithmonë në tavolinën e punës sime, për të reflektuar dhe për t’u kujtuar çdo çast se ju kemi një borxh të madh këtyre engjëjve për t’u lënë në Shqipëri edhe më të begatë, një Atdhe më të dhembshur, më të mirë dhe më të bukur…
Asnjëherë nuk është vonë…
Të BEKUAR qofshin të gjithë FËMIJËT kudo ata janë…
/Shqip.com