Sport Shqiptar

Trepça – Peja luhet me tifozë

Peja - Trepça

Ndeshja gjysmëfinale ndërmjet Pejës dhe Trepçës do të luhet me tifozë.

Edhe pse Peja ishte dënuar me dy ndeshje pa tifozë, në tribuna do të lejohen 25 për qind e kapacitetit.

Kjo pasi Peja është ankuar në Komisionin e Arbitrazhit dhe ankesa e tyre është pranuar.

“Komisioni i Arbitrazhit ka aprovuar pjesërisht ankesën e KB Peja duke lejuar 25% të kapacitetit të sallës. Biletat dalin nesër dhe janë në numër të limituar”, thuhet në njoftimin e klubit.

Ndeshja e katërt gjysmëfinale do të zhvillohet të enjten me fillim nga ora 20:30.

Mitrovicasit janë duke udhëhequr 2:1, ndërsa skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale, ku e pret Golden Eagle Ylli.

Në dy takimet e para, fituan mitrovicasit, 75:68 dhe 107:105, që u përcaktua pas dy vazhdimeve.

Përballjen e fundit e fituan pejanët 72:66, që ishte shumë interesante dhe me rikthime.

Takimi i së enjtes pritet gjithashtu të jetë interesant, me verdhezinjtë, që do të mundohen të barazojnë serinë gjysmëfinale në 2:2 dhe mitrovicasit që duan të kualifikuan në finale pas një dekade./Shqip.com