Lajme

Tiranë: Një burrë vret vëllain dhe kunatën

Ilustrim

Dy persona që janë burrë dhe grua kanë mbetur të vdekur ditën e sotme në Tiranë si shkak i plagëve të marra nga një armë zjarri.

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se i dyshuari që ka shtënë mbi viktimat është vëllai i viktimës burrë.

“Më datë 30.08.2022, në rrugën “Islam Alla”,  dyshohet se si pasojë e një konflikti familjar, shtetasi A. M., dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt vëllait të tij shtetasit D. M., 44 vjeç, dhe një shtetaseje tjetër, ende të paidentifikuar, (dyshohet bashkëshortja e shtetasit D. M.) të cilët si pasojë kanë ndërruar jetë.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Abc news Albania, ngjarja ka ndodhur në një lokal në rrugën “Islam Alla” në kryeqytet, që lidh Rrugën e Kavajës me atë të “Myslim Shyrit” dhe nga burimet e kësaj redaksie është mësuar se viktimat kishin në pronësi agjenci udhëtimi.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po kontrollon zonën me qëllim të kapjes së autorit. Ndërsa Prokuroria po punon  për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kjo vrasje e dyfishtë është e dyta brenda pak orëve në Shqipëri. Natën e kaluar në Lezhë, Besnik Pjetri vrau ish-kunatin Gent Përjaku dhe ish-vjehrrin Pjeter Përjakun. Vrasja ndodhi në fshatin Grykë Zezë të Lezhës pas një konflikti që erdhi pas divorcit të Besnik Pjetrit me vajzën e familjes Përjaku.

Kjo është vrasja e 24-të e kësaj vëre në Shqipëri, ndërkohë që 29 persona kanë humbur jetën, duke shtuar pikëpyetjet për siguri të jetës në këtë vend./Shqip.com