Lajme

Thaçi flet nga Haga

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili që një vit gjendet në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë, ka treguar arsyet pse ka refuzuar të takohet me zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët javë më parë kanë vizituar të paraburgosurit atje, transmeton Shqip.com.

Thaçi thotë se zyrtarët nuk i vizituan pse ishin të interesuar për gjendjen e tyre atje, sipas tij, kjo vizitë u bë në kulmin e fushatës zgjedhore.

“Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë”, i ka thënë Thaçi gazetarëve shqiptarë, Mero Baze dhe Filip Çakuli, gjatë një vizite që i kanë bërë atij në një-vjetorin e qëndrimit të tij aty.

Mero Baze

“Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a u dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë. Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”, ka thënë Thaçi më tej.

Në një shkrim të gjatë, Baze ka ndarë momente dhe biseda që bashkë me Filip Çakulin i kanë bërë ish-presidentit Thaçi. Sipas tij, Thaçi thotë se është i fortë.

“Kur mendoj që dhe mund të ishim vrarë në luftë, mendoj se gjithçka tjetër na bën më të fortë”, – thotë pa shumë patetizëm, në dhomën e ngushtë të vizitorëve ku unë [Mero Baze] përpiqem të bëj humor me formën e mirë fizike apo regjimin e tij ditor në palestër”, shkruan Baze. /Shqip.com