Lajme

Të punësuarve të rinj ministria do t’u paguajë kontributet pensionale për një vit

Ilustrim

Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati të enjten ka marrë vendim për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me operacionalizimin e masës 1.2 “Mbështetja për të Punësuarit e Formalizuar të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”.

Përmes masës 1.2, secilit prej të punësuarve të rinj do t’u paguhen kontributet pensionale në vlerë prej 10% të pagës bruto, duke filluar nga muaji korrik 2021 e deri në muajin qershor 2022.

Ministria njofton se kusht për subvencionim është që punëtori të mos figurojë si i punësuar në deklaratën e muajit qershor 2021.

“Për të përfituar nga subvencioni, punëtorët e rinj duhet të deklarohen nga punëdhënësi në deklaratën e rregullt mujore që dorëzohet në sistemin elektronik EDI të ATK-së, duke filluar nga data 1 gusht 2021 (për periudhën tatimore korrik 2021). Pasi të jetë bërë deklarimi, punëdhënësi duhet të plotësojë formularin për subvencionim, po ashtu përmes sistemit EDI”.

“Aplikimi për subvencion nga Masa 1.2 do të mund të bëhet deri më datë 15.10.2021. Për hapjen dhe udhëzuesin e aplikimit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të njoftojë publikun gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e ministrisë./SHQIP.com