Lajme

“Të përbashkuar në Gjakovë”, mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri mbahet më 14 qershor (Agjenda)

Në kulmin e debatit për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe në veri, e mërkura e 14 qershorit do të bëjë bashkë qeveritë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.

Takimet zyrtare nisin në orën 11:00 me mbërritjen e delegacionit të qeverisë shqiptare dhe më pas Kryeministrit Rama.

Pas himneve të dy shteteve në orën 11:30 do të nisë edhe hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive, me logon “Të përbashkuar në Gjakovë”, ku pritet të nënshkruhet edhe disa marrëveshje ndërqeveritare, raporton Tv Klan.

Ajo që pritet me interes është dalja në konferencën e përbashkët për shtyp mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, ku padyshim vëmendja e mediave do jetë çështja e Asociacionit dhe dokumenti konficencial që kryeministri Rama ia ka përcjellë Presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Scholz, dy prej kumbarëve të propozimit franko-gjerman.

Kryeministri Rama në një dalje të posaçme për mediat tha se për përmbajtjen e dokumentit konfidencial nuk është konsultuar me Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin Vuçiç, ndërkohë që qeveria e Kosovës nuk ka reaguar ende zyrtarisht.

Gjatë qëndrimit në Gjakovë në orën 14:00 përfaqësues të dy qeverive do të zhvillojnë homazhe pranë Lapidarit të Dëshmorëve, e më pas do jenë pjesë e një dreke të shtruar nga Kryeministri Kurti.

Në orën 16:00 priten edhe takime me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare të Gjakovës, Pejës, Deçanit, Prizrenit, Dragashit, Tropojës, Kukësit dhe Hasit.

Axhenda e mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri – 14 Qershor

11:00 – Mbërritja e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë

11:15 -Mbërritja e kryeministrit Edi Rama

11:30 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë –Shqipëri

12:45 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare

13:15 – Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrave Kurti e Rama

14:00 – Homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të Gjakovës

16:00 – Takimi me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare (Gjakova, Peja, Deçani, Prizreni, Dragash, Tropojë, Kukës dhe Has)

/Shqip.com