Lajme

Të hënën seanca për buxhetin, opozita me skenar bllokimi – Kuvendi merr masa

Denoncimi i Gazment Bardhit: Garda do tentojë të rrethojë opozitën

Rreshtimi në këtë mënyrë i punonjësve të gardës, është një nga skenarët e Kuvendit për të parandaluar çdo rrëmujë të mundshme në seancën maratonë për miratimin e buxhetit.

Të paktën ky është pretendimi i deputetit të PD, Gazment Bardhi, i cili ka bërë publike këtë foto.

Sipas Bardhit, ky është një urdhër i paligjshëm i kryetares së Kuvendit për të rrethuar opozitën ditën e hënë.

Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës. Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar.”

Teksa të hënën pritet të nisë seanca maratonë për të diskutuar dhe miratuar buxhetin e vitti 2024, opozita nuk ka bërë asnjë hap pas sa i përket aksionit për bllokimin e parlamentit.

Nga ana tjetër as socialistët nuk parashikojnë të ndryshojnë skenar. Zbatimi i tyre do të varet nga qëndrimi i opozitës. Megjithatë, socialistët kanë konfirmuar se buxheti mund të kalojë edhe pa debat parlamentar.

Në rast se opozita vendosë të ngujohet në sallën e Parlamentit, ekziston mundësia që seanca të zhvendoset në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

/Shqip.com