Kulturë Kino

Të hënën në Tiranë nis cikli i dokumentarëve: “Hekur, Pluhur dhe Frikë”

Të hënën, nga ora 17:30 “Tek Bunkeri” do të shfaqet cikli i dokumentarëve: “Hekur, Pluhur dhe Frikë”, i cili trajton harresën kolektive.

Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980. Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë. Cikli me tre dokumentarëve “Hekur, Pluhur dhe Frikë”, trajton pikërisht boshllëkun që ka lënë harresa e publikes në transportin publik.

Hekuri i shinave që dikur lidhnin njerëzit sot është kthyer në ndryshk. Më shumë se gjysma e 447 kilometrave hekurudhë është tërësisht jashtë funksionit, e ajo që ka mbetur është thuajse e pa përdorshme. Dokumentari i parë i këtij cikli trajton “rrugën e gjatë nga Tirana për në Durrës” duke sjellë histori nga sytë e ekspertëve, përdoruesve dhe ish-punonjësve të hekurudhës.

Për disa dekada, mijëra shqiptarë punuan për ndërtimin e dhjetëra tuneleve, urave, stacioneve e veprave që sot janë nën PLUHUR. Dokumentari i dytë i këtij cikli është një rrugëtim në këtë infrastrukturë të harruar dhe një bisedë me njerëzit që e ndërtuan atë.

Ku janë vajzat dhe gratë kur bie errësira? Në qytetet e vogla dhe fshatra lëvizja është jo rrallë herë privilegj i burrave. Mungesa e një transporti publik të sigurt shoqërohet me izolim dhe FRIKË për vajzat e zonave rurale. Në dokumentarin e fundit të këtij cikli do të shkojmë në Kurbin, për të dëshmuar se si vajzat janë bërë bashkë për të sfiduar këtë fenomen.

Vendi: Tek Bunkeri
Data: 05 dhjetor 2022
Ora: 17:30
Ky aktivitet organizohet nga Citizens Channel me mbështetjen e Fondacionit Friedrich-Ebert në Tiranë.

/Shqip.com