OP-ED Kolumne

Të gjithë ankohen për krizën, por askush nuk e ndal luksin!

Sheshi "Zahir Pajaziti"
Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Rrallë mund të ndodhë që të ulësh në një tavolinë dhe të mos dëgjosh ankesa nga më të ndryshmet nga bashkëbiseduesit. Rritja e çmimeve, të ardhurat e pamjaftueshme, inflacioni, obligimet e shumta, janë ndër temat më të zakonshme që trajtohen midis miqve dhe familjarëve.

Por, nëse biseda rastësisht lakohet me ndonjë model të ri të celularit, vetura të tipit të fundit apo shëtitje dhe argëtime, lehtësisht mund të vëresh se të gjithë bashkëbiseduesit kanë celularë të shtrenjtë, veturë solide dhe janë të gatshëm të të rrëfejnë edhe për përvojat në udhëtime të ndryshme.

Pasi jemi në fillim të vitit, këtë mund ta shpërfaq më së miri fundviti, kur nuk është çudi që nëse ndonjë që u është ankuar në stilin “se sa e vështirë është jeta në Kosovë”, ta keni parë duke ngre dolli në ndonjë metropol botëror në prag të ardhjes së vitit të ri.

Në secilin kryeqytet shqiptar trafiku është rrëmujë. Dhe, kur e mendon, asnjëra prej veturave nuk ecë me ujë, por mbushet me ato karburante për çmimet e të cilave ankohemi të gjithë.

Kjo pashmangshëm mund të shpreh habinë për një vizitor të huaj i cili për Kosovën mund të ketë dëgjuar lajme të ndryshme për gjendjen e rënduar ekonomike, veçanërisht kur ajo në raporte të ndryshme ndërkombëtare paraqitet si një nga shtetet më të varfra evropiane.

Realitetin që mund ta hasë nëse vendos ta vizitojë kryeqendrën do të krijoj një perceptim krejtësisht ndryshe. Njerëz të veshur sipas modës së fundit, kafene të mbushura plotë dhe një komunikacion i dendur ku nuk mungojnë as markat e fundit të veturave.

Prandaj, së paku për mua, vazhdon të mbetet i habitshëm hendeku midis të ardhurave që kanë njerëzit dhe mënyrës luksoze të jetesës që bëjnë.

Dikush ndoshta do ta zbërthente ndryshe – se nuk është i vogël numri i atyre që shëtitjet e shumta i bëjnë më shumë për t’i treguar botës sesa për ta kënaqur vetveten. Madje, edhe se mund të kenë marrë kredi për t’u zbavitur.

Por, kjo nuk e ndryshon faktin se mbetemi në masë të madhe popull me ankesa të shumta, por që asnjëherë nuk e ndalim luksin.

Pak rëndësi ka nëse institucionet e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë i kemi në fund të pusit. Kryesorja, për dasma dhe ahengje jemi të parët! Të paktën dimë të jetojmë për aq kohë sa jemi të dehur. Kur kthjellemi vazhdojmë të ankohemi… deri në dehjen e radhës.

/Shqip.com