Lajme

Të enjten seanca e fundit e Kuvendit për sesionin pranveror

Kuvendi i Kosovës.

12 gushti do të jetë data kur Kuvendi i Kosovës do ta mbajë seancën e fundit për ta përmbyllur sesionin pranveror.

Por, para kësaj do të shqyrtohen edhe gjashtë pikat e mbetura nga seanca e 6 gushtit.

Kështu ka njoftuar Kuvendi i Kosovës, të hënën, pas mbledhjes kryesisë.

“Pas ezaurimit të dy pikave të zakonshme, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të shqyrtojë Projektligjin nr. 08/L-024 për ratifikimin e Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar, si dhe të zgjedh Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës”.

“Seanca do të vijojë me shqyrtimin e raporteve vjetore (për vitin 2020) të pesë institucioneve të pavarura: Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, si dhe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2020”, thuhet në kumtesën e Kuvendit.

Në mbledhjen e sotme, kryesia, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka miratuar raportin e Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021. /Shqip.com